English

Basha: Ja se cilat janë aktivitetet për 100-vjetorin e Pavarësisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shpallur para Këshillit Bashkiak, axhendën e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia, në 100 vjetorin e Pavarësisë. Aktivitetet nisin më datë 26 nëntor, në përkujtim të 100 vjetorit të ngritjes së flamurit në Tiranë, ndërkohë që atmosfera festive ka pushtuar çdo cep të kryeqytetit.

“Në vigjilje të kësaj feste të madhe kombëtare, jemi të gjithë dëshmitarë se si në kryeqytet është krijuar një atmosferë festive, në kuptimin e gjithpërfshirjes së qytetarëve. Unë konsideroj se përtej ngjarjeve, koncerteve, manifestimeve, shtatoreve dhe shumë veprave të tjera të rëndësishme që shpalosen me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, një ndër arritjet më të mëdha është përjetimi i kësaj feste kombëtare, i këtij 100 vjetori kombëtar nga të gjithë qytetarët, në forma e mënyra të ndryshme dhe me akses të plotë në ngjarje të organizuara e të financuara si nga Bashkia e Tiranës, nga institucionet qendrore por edhe nga bashkime vullnetare, shoqata, grupe të shoqërisë civile brenda qytetit tonë, brenda vendit tonë por po kështu nga Kosova, Maqedonia, diaspora etj. Bashkia e Tiranës, sikundër bëri edhe vjet, veçanërisht në këtë 100 vjetor ka marrë të gjithë masat për një festë madhështore e cila do të kaplojë të madh e të vogël, cep më cep të këtij qyteti që është edhe kryeqyteti i Shqipërisë dhe kryeqendra e shqiptarëve, sa i përket numrit të banorëve.

Do të nisim në datën 26 nëntor e cila për qytetin e Tiranës, edhe para se të shpallej kryeqytet është një datë e veçantë, data kur u ngrit flamuri. Me këtë rast kemi një program që shtrihet gjate gjithë ditës. Do të përkujtojmë këtë ngritje të flamurit me praninë e pasardhësve, pinjollëve të familjeve të ngritjes së flamurit në Tiranë, pikërisht në zonën ku u ngrit flamuri, pranë Urës së Tabakëve, me përjetesimin e simbolit kombëtar, shqiponjës dy krenare. Në këtë vend ku u ngrit flamuri para 100 vitesh do të vendoset një Mozaik i Flamurit Kombëtar, bazuar në një ndër dizenjot e hershme, stemën e Muzakajve, i punuar tërësisht me gurë natyralë nga artisti Gëzim Hidri. Mozaiku është 2012 mm i gjatë, dhe përkujton 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, është 1200 mm i lartë që simbolizon 1200 muajt që përbëjnë një shekull. Autorit i janë dashur 4 muaj të mbledhë gurë të kuq në të gjithë trevat shqiptare, një pjesë e të cilëve janë marrë në fusha e male ku janë zhvilluar dhe betejat më të përgjakshme në këtë vend, që nga koha e Skënderbeut deri në çlirimin e Shqipërisë. Pas shume muajsh pune intensive ky mozaik që përjetëson këtë akt historik do të vendoset në vendin ku 100 vite më parë u ngrit flamuri në qytetin tonë.

Po me datë 26, do të nisin edhe disa aktivitete të cilat do të vazhdojnë edhe në datën 27, 28 nëntor e më tej. Do të nisë në pedonalen “Murat Toptani”, panairi “Blej produkte shqiptare”, ndërsa përpara TOB do të nisë puna për Tortën e Pavarësisë, një ngjarje e shumëfolur. Torta do të ketë një sipërfaqe prej 550 metra katrorë, përgatitur nga pastiçerët më të mirë shqiptarë, jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe nga ata që kanë bërë emër në tregjet e Evropës dhe Amerikës së Veriut. Torta është një punë masive, dhe nëse realizohet me sukses, gjë për të cilën kam besim të plotë dhe Bashkia po e mbështet plotësisht, do të jetë torta më e madhe në sipërfaqe, e ndërtuar ndonjëherë në botë. E fundit më e madhja, ka qenë 500 metra katrorë, tek fqinji ynë, Italia, me rastin e 150 vjetorit të Pavarësisë së saj. Natyrisht puna ka nisur. Dua t’u jap mirënjohjen time atyre dhjetëra, qindra qytetarëve që i janë bashkuar pa të cilët nuk mund të bëhej kjo ndërmarrje. Vetë iniciativa ka ardhur nga qytetarët, Bashkia thjesht e ka mbështetur dhe po vazhdon të koordinojë logjistikën, sepse të bësh një tortë 550 metra katrorë e cila të mbetet e freskët dhe e konsumueshme në Ditën e Flamurit, nuk është diçka e thjeshtë. Atmosfera festive në kryeqytet, besoj se do të përfitojë shumë, veçanërisht duke pasur parasysh që mbi këtë tortë do të vendoset simboli ynë kombëtar, flamuri kombëtar.

Aktivitete të tjera vijojnë me ekspozita historike dhe me koncerte, po me datë 26, të vendosuara në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës dhe me pjesëmarrje të bandave të “rock”-ut nga Tirana por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Preshevës etj.

Në orën 13.00, të datës 26, në prani të Kryetarëve të Bashkive, të qyteteve të tjera nga vendi, të kryetarëve të komunave, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës, do të zhvillohet një tjetër ngjarje e rëndësishme. Emërtimi i asaj që njihet sot si rreth rrotullimi i Doganës, shehsi “Shqiponja” dhe vendosjen e monumentit të shqiponjës, në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Është një monument i përmasave të mëdha dheveper e një pune të madhe artistike, i cili përjetësohet në këtë pjesë të qytetit tonë, me kontributin e shqiptarëve, nga të gjithë trevat ku ata jetojnë, në veçanti me kontributin e shqiptarëve nga Tetova.

Po me datë 26 në orën 18.30, në Tiranë, do të ndodhë nje tjetër aktivitet për herë të parë. Për herë të parë në Tiranë mblidhet Orkestra Kombëtare Rinore apo e quajmë Filarmonia Rinore e cila do të dirigjohet nga një dirigjent i cili konsiderohet sot si një ndër më të mirët në botë Aldo Cecchatto i cili do të udhëheqë këtë koncert dhe do të jetë dëshmitar i parë i ripërtëritjes së një tradite të qytetit, vendit tonë, sa i përket talentit në fushën e muzikës klasike. Jemi të gjithë dëshmitarë se sot anembanë filarmonive, orkestrave të botës, kemi instrumentalistë dhe vokalistë shqiptarë, sikundër jemi dëshmitarë se presionet e ndryshme të 20 viteve tranzicion kanë bërë që kjo traditë, e ndërtuar ndër vite dhe që ka dhënë sukseset e saj të prekshme sot në Shqipëri dhe në këto skena botërore ka pasur nevoja të mëdha, ndaj edhe Bashkia siç mund ta keni parë edhe në vendimet e ndryshme të Këshillit Bashkiak apo Këshillit të Kulturës ka mbështetur vazhdimisht këto iniciativa, që kulmojnë me këtë premierë të Orkestrës Rinore Shqiptare, në këtë datë të shënuar për qytetin, dhe dy ditë para datës së 100 vjetorit të Pavarësisë, në TKOB. Jam i bindur se do të jemi të gjithë krenarë para një prej dirigjentëve më të mëdhenj të botës. Natyrisht jo çdokush ka një pikë të dobët për muzikën klasike dhe për këtë arsye, si para koncertit dhe gjatë periudhës së mbasdites por edhe pas koncertit do të kemi dy aktivitete të tjera, i pari Banda Rock dhe i dyti, duke filluar nga ora 20.00, në rrugën “Murat Toptani”, për të gjithë ata që pëlqejnë “hip-hopin”, “rap” (gjithmonë shqip dhe nga artistë shqiptarë) do ta gjejnë atë për 4 orë, deri në orët e mesnatës, së datës 26. Nuk është koncerti i madh i 28 nëntorit por është koncerti i Tiranës, më 26 nëntor, (këtu kërkohet edhe kontributi juaj për emërtimin e sheshit “Shqiponja”).

Më datë 27 nëntor, do të vazhdojnë si panairi “Blej produkte shqiptare” dhe përgatitja e tortës. Në orën 10.00 paradite kemi një koncert me këngëtarë të rinj, talente, të evidentuar një pjesë në rrjetin e kulturës dhe artit të Bashkisë së Tiranës.

Në orën 11.00, Bashkia e Tiranës prezanton një dhuratë për të rinjtë e kryeqytetit, që është një CD me 42 këngë patriotike, nga të cilat afro 20 janë të padëgjuara më parë dhe i përkasin periudhës 1912-1945. Një punë e madhe nga kritikët e muzikës është bërë për gjetjen, veçanërisht të regjistrimeve të vjetra, pastrimin, evidentimin e plotë të teksteve, botimin e tyre dhe përmbledhjen e këtyre këngëve. Sigurisht, një pjesë e këngëve janë të njohura për ne, shpresoj edhe për një pjesë të madhe të brezit të ri por mendoj se duke bërë këtë xhest, duke financuar këtë përpjekje, Bashkia e Tiranës ndihmon në përjetësimin dhe transmetimin brez pas brezi të traditës apo trashëgimisë të këngëve patriotike shqiptare. Për këtë qëllim, këtë CD me 42 këngë patriotike do ta shpërndajmë si fillim falas për të gjithë gjimnazistët dhe më pas edhe për nxënësit e shkollave 9 vjeçare si dhe do të subvencionojmë gjendjen e saj në treg më vonë kundrejt një çmimi simbolik për të gjithë të tjerët që duan ta kenë në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Ulqin apo kudo tjetër.

Në orën 15. 00 kemi ceremoninë e përurimit të shtatores së komandantit legjendar të UÇK Adem Jashari, për të cilën ju tashmë duhet të jeni në posedim të ftesave sepse Këshilli Bashkiak është i ftuar në të gjithë këto ceremoni. Kjo ceremoni e cila do të zhvillohet në prani të autoriteteve më të larta të Shqipërisë e Kosovës përjeton jo thjesht një ndër momentet kyç të historisë tonë kombëtare por në shumë dimensione përjeton të gjithë sakrificën e bërë ndër shekuj, të shqiptarëve për liri, pavarësi, demokraci dhe përparim.

Në orën 20.00 të mbrëmjes, të datës 27 nëntor do të vijohet me një koncert me grupe rock por me një repertor patriotik, zhanër ky i ri por i zhvilluar me sukses nga të rinjtë tanë të talentuar, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva e kudo tjetër.

Paraditen e datës 28 nëntor, tek Lulishtja e Parkut Rinia, kemi pesë aktivitete të organizuara për fëmijët, telajo për pikturën me temë 100 vjet Pavarësi “Shqipëria ime”, koncert për fëmijë të Qendrës Kombëtare për Fëmijë të shkollës së Baletit dhe Liceut Artisitik, Teatër për Fëmijë, nga Teatri i Kukullave, animatorë dhe foto-point me personazhe të pavarësisë. Tek lulishtja “3 vëllezërit Frashëri” kemi një koncert për të rinj, ndërkohë që tek ura që lidh zonën e ish – Bllokut me pjesën tjetër të qytetit, kemi një performancë të cirkut.

Tek Rruga “Ismail Qemali” është parashikuar ekspozitë pikture, teatër rruge, performancë me vegla muzikore dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, foto point me personazhe historike, dhe rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore personazhe të lidhura me festën që shpërndajnë flamuj të vegjël dhe suvenirë qytetarëve, për t’i lënë vendin më pas aktiviteteve zyrtare, të organizuara nga Ministria e Kulturës.

Siç e shikoni, kemi të bëjmë me një kalendar shumë të ngjeshur, ku ne si Bashki, besoj se rreshtohemi denjësisht, jo vetëm për përjetimin dhe festimin e këtyre ditëve të shënuara në historinë e kombit, por edhe me entuziazmin që ka kapluar të madh e të vogël”.

KOMENTE