Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar.
Pas urimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri Xhaferri shkëmbyen mendime në lidhje me zhvillimet mbarëshqiptare në rajon dhe të ardhmen e tyre evropiane.
Presidenti i Republikës vlerësoi kontributin e shqiptarëve në zhvillimet demokratike dhe stabilitetin e Maqedonisë duke cilësuar në veçanti zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një moment të rëndësishëm që garanton standardet demokratike evropiane dhe bashkëjetesën etnike në harmoni.
Presidenti Nishani gjithashtu ritheksoi se shqiptarët në rajon janë faktori më i rëndësishëm për stabilitetin e tij, sepse ata ndikojnë pozitivisht në zhvillimet pozitive të shteteve ku jetojnë, me synim integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Xhaferri u shpreh se ndan të njëjtat mendime me Presidentin Nishani duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit është historike pasi të dyja palët kanë rënë dakord që të jetojnë së bashku, me kusht që të jenë të barabarta, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë lëshime në zbatimin e plotë të saj.
Të dy bashkëbiseduesit ishin të një mendimi se integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm dhe se ndryshimi i kufijve do të destabilizonte të gjithë rajonin.