Letra që kryetari i Grupit Parlamentar të PS i ka dërguar Presidentit të Republikës Bujar Nishani:
Sh.T.Z. Bujar NISHANI
President i Republikës
I nderuar zoti President,
Ju keni kërkuar të zhvilloni takime konsultuese me përfaqësuesit e partive politike parlamentare, të cilat synojnë të evidentojnë vlerat më të mira që duhet të përfaqësojë figura e ardhshme e Prokurorit të Përgjithshëm si një pozicion i rëndësishëm në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Ne vlerësojmë se Prokurori i Përgjithshëm i Republikës është një funksion themelor kushtetues për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Por po ashtu ne vlerësojmë se nuk janë partitë ato që përcaktojnë vlerat që duhet të mishërojë Prokurori i Përgjithshëm. Këto vlera i dikton Kushtetuta e Republikës prej së cilës Ju duhet të udhëhiqeni në çdo hap zoti President !
Ndërkohë që më lejoni t’Ju them se duke organizuar këto “takime konsultuese” me përfaqësuesit e partive Ju rrezikoni ta shkelni Kushtetutën në frymë dhe në gërmë. Kjo është qoftë arsyeja që Partia Socialiste refuzon të marrë pjesë në një proces kërcënues për Kushtetutën e Republikës, qoftë arsyeja pse Ju shkruaj për t’Ju ardhur në ndihmë që të mos shkelni Kushtetutën duke ndërmarrë “takime konsultuese” për të shkuar drejt largimit të Prokurores së Përgjithshme nga detyra.
Ju ftoj të konsideroni argumentat e mëposhtëm :
1. Çdo veprim për largimin nga detyra para përfundimit të mandatit të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, do të ishte i kundërligjshëm. Ky do të ishte de facto një shkarkim ! Por për një hap të tillë, maxhorancës, por dhe juve personalisht do t’ju duhej të faktonit shkeljet që parashikon Kushtetuta e ligji – ndërkohë që Ju hapni “takime konsultuese” shkelje të kësaj natyre nuk duken gjëkundi.
2. Sipas të drejtës kushtetuese funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm, i marrë me normat e mëparshme kushtetuese është pa mandat të kufizuar sepse emërimi i znj. Ina Rama si Prokurore e Përgjithshme është bërë në kushtet kur Kushtetuta (ligji i kohës) nuk parashikonte kufizimin e mandatit për këtë funksion publik.
3. Në kushtet kur, kushtetutbërësi ka shprehur vullnetin e tij për një funksion publik kaq të rëndësishëm, sikurse është funksioni i Prokurorit të Përgjithshëm, duke parashikuar, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese një mandat pesëvjeçar, si edhe për të bërë të zbatueshëm këtë vullnet të kushtetutbërësit, përsëri afati ligjor për të konsideruar të përfunduar mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm nuk fillon nga data e emërimit, por data e marrjes fuqi juridike të kësaj norme të re kushtetuese. Në këtë rast s’ka asnjë dyshim se afati ligjor për t’u konsideruar si përfundim i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë është data 23 Maj 2013 dhe asnjë ditë më parë.
Zoti President,
Asnjë lloj doktrine kushtetuese nuk e njeh a priori fuqinë prapavepruese të një amendamenti kushtetues, përveçse kur vetë legjislatori kushtetues e parashikon atë. Kuvendi kishte detyrën e nxjerrjes së dispozitës tranzitore pas ndryshimeve kushtetuese më 2008, por ende sot nuk e ka bërë këtë.
Norma kushtetuese që kufizoi mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm në 5 vjet i fillon efektet e veta jo në datën e zgjedhjes së Prokurorit aktual (më datë 22.11.2007), por nga dita e hyrjes së normës së re kushtetuese në fuqi, pra më datë 23 Maj 2013.
Kemi çmuar ndërkohë se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë bërë publikisht të njohur qëndrimin e tyre se mandati i prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 23 Maj 2013.
Prandaj jemi plotësisht të bindur se çdo veprim në kundërshtim me këtë parim kushtetues do të ishte një akt i rëndë kundër institucioneve të Republikës, me pasoja të paparashikueshme.
Kështu që Zoti President, Ju ftoj që përpara çdo diskutimi e veprimi për “figurën e ardhshme të Prokurorit të ri të Përgjithshëm”, të qartësoni qëndrimin tuaj lidhur afatin kushtetues të mandatit të Prokurores së Përgjithshme të Republikës aktualisht në detyrë.
Gramoz RUCI
Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist