English

Berisha: Rama bllokoi statusin. Rama: pengmarrja e Fierit alibi e Kryeministrit

Çështja e Fierit tashmë i ka kaluar kufijtë duke u bërë një prej pikave më të nxehta të diskutimeve qeveritare midis opozitës dhe qeverisë.

Një çështje që kryeministri Berisha edhe dje e ka cilësuar madje me forcë se është një lojë e kryesocialistit Rama.
Berisha tha se Rama e ngriti alibinë e Fierit, si një arsye për të justifikuar bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat.

"Unë dua të informoj qytetarët shqiptarë se pikërisht, një ditë pas 20 nëntorit, e fiksuar në raportin e Komisionit Europian, si një datë para së cilës duhet të votoheshin tre ligjet, në mënyrë që Komisioni të bënte raportin për Këshillin, zoti Edi Rama, në një intrigë e lojë të turpshme, të paimagjinueshme, në kurriz të çdo shqiptari, urdhëroi zotin Vangjel Ndrekën të tërhiqet nga padia gjyqësore. Misioni u krye, ndaj nuk duhet më gjykimi. Në këtë 100 vjetor, del njëqind herë e vërtetë ajo që ka thënë Faik Konica: Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët.Kjo që ndodh tani është cinizmi dhe tallja më e madhe me ëndrrën fisnike të çdo shqiptari. Kjo që ndodh është një intrigë e përmasave makbethiane, në kurriz të shqiptarëve ndershëm. Pretendimin se ishte ai, kryetari i Këshillit të Qarkut, nuk e ka më. Por kjo i duhej vetëm për t’i krijuar zotit Rama, pretekstin e bllokimit, pretekstin e një vendimi absurd", tha Berisha.

Ndërsa Rama ka reaguar në Twitter duke cituar.
"Kryeministri Sali Berisha tha shpifjen e ditës se PS u tërhoq nga Fieri! Jo, PS ka fituar në popull dhe në gjykatë, me vendim të formës së prerë, të drejtën të drejtojë qarkun. PS nuk është tërhequr nga asgjë. Kur nuk njeh vendimet e gjykatave, s'ke si kupton logjikën e proceseve gjyqësore. Pengmarrja e Fierit alibi e Kryeministrit".
Ndërsa dje kryetari i shkarkuar socialist i Qarkut të Fierit, Vangjel Ndreka, i cili kishte kërkuar gjykimin në themel të çështjes tha për top-channel se “Sot unë deklaroj se kjo çështje nuk ka më vlerë të zgjidhet në Gjykaten e Fierit, sepse këto çështje i ka zgjidhur gjyqësori”

Ndërkohë vjen dhe deklarata për shtyp e deputetit socialist, Armando Subashi, se Partia Socialiste nuk është tërhequr dhe as nuk ka pasur ndonjë herë dyshimin më të vogël për t’u tërhequr nga zgjidhja ligjore e çështjes së Qarkut të Fierit, i cili është bllokuar në mënyrë arbitrare nga qeveria. Ai ka hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Berisha se PS është tërhequr nga kjo çështje, duke theksuar se kjo forcë politike ka në krahun e saj vendimet e formës së prerë të gjykatave të të gjitha shkallëve. “Ne nuk jemi tërhequr dhe nuk mund të tërhiqemi nga çështja e Qarkut të Fierit. Përkundrazi Sali Berisha ka sot mbi tavolinë vendime gjykatash të formës së prerë. Ka sot mbi tavolinë vendime gjykatash të cilat i kanë dhënë të drejtë 11 këshilltarëve të Qarkut Fier të ulen në karriget e tyre, të ushtrojnë mandatin e vet kushtetues dhe mbi këtë bazë të vihet në vend drejtësia, të vihen në vend zbatimi i vendimeve të gjykatës. Por Sali Berisha duke mos pasur asnjë argument për Fierin ka frikë të ballafaqohet”, është shprehur Subashi. Sipas deputetit socialist çështja e Fierit është çështje vullneti politik dhe s’ka asnjë mëdyshje nga pikëpamja ligjore, pasi vendimet e gjykatës janë aty, janë në tavolinën e kryeministrit dhe i takon atij që t’i zbatojë ato.
1522

KOMENTE