Këshilli i Ministrave miratoi sot, një sërë masash fiskale dhe administrative, lehtësuese për biznesin. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këto masa, tha se qëllimi i tyre ishte përmirësimi më tej i klimës së bërjes biznes, lehtësimi i barrës fiskale dhe burokratike dhe rritja e transparencës. Konkretisht, u miratua:
- Heqja e akcizës për kafen e papjekur. Nga 30 lekë për kilogram bëhet zero.
- Akciza e kafesë së pjekur nga 140 lekë zbret në 60 lekë për kilogram.
- Tarifa doganore për kafenë nga 10 përqind bëhet zero.
- Rritet pesëfish masa e gjobës, në rastet e konstatimit të punonjësve të pasiguruar, apo në rastet e mosdeklarimit nga tatimpaguesit e regjistruar si subjekte, të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin.
- Nga 1 janari, procedura për blerjet e vogla bëhet tërësisht dixhitale.
- Përjashtohen nga detyrimi i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ardhurat e përfitimit nga dëmshpërblimet e marra me vendim të formës së prerë të gjykatave, si dhe të kompensimit të kostove gjyqësore, të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritje në shkencë, sport, kulturë.
- Qartësohet nocioni i të ardhurës bruto për të vetëpunësuarit, sipas të cilit, e ardhur bruto për këtë kategori do të konsiderohet vlera 20 përqind e të ardhurave vjetore bruto, nga zhvillim i aktivitetit ekonomik, tregtar apo shërbimi.
- Regjistrimi dhe çregjistrimi i përfaqësuesit tatimor do të kryhet pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe jo pranë Agjencisë Kombëtare të Regjistrimit, si aktualisht.
Gjithashtu u miratua vendimi që rregullon në interesin më të mirë të institucioneve arsimore publike e private, dhënien e bursave për nxënësit e shkëlqyer dhe atyre më në nevojë. Sipas këtij rregullimi, institucionet arsimore publike e private do të japin bursa dhe ato do t’u njihen si shpenzime të zbritshme, nga organet tatimore, por ato do të dorëzohen në fillim të vitit shkollor, në Ministrinë e Arsimit, për të shmangur abuzimin me këtë të drejtë.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe tre vendime për përcaktimin e autoritetit konkurrues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve Vërmik 1, 2 dhe 3 dhe miratimin e obusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese.