English

Ardhja e armëve të Skënderbeut, simbolizon miqësinë e hershme midis Shqipërisë dhe Austrisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Çoba Topalli mori pjesë dje në ceremoninë e ekspozimit për herë të parë në Shqipëri pas katër shekujsh të shpatës dhe përkrenares së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilat mbërritën nga Muzeu i Artit në Vjenë për t’u ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë me rastin 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, pas kërkesës së Kryeministrit, Sali Berisha.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Zëvendëskancelari, njëkohësisht Ministër i Punëve të Jashtme, Michael Spindelegger, Ministrja e Arsimit, Artit dhe Kulturës në Austri, Claudia Schmied, zëvendëspresidenti i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, z.Volfgang Grosruk, deputeti austriak, Verner Amon, ministra dhe deputetë të Kuvendit të Kuvendit të Shqipërisë, deputetë të Parlamentit të Austrisë si dhe personalitete të rëndësishme nga jeta politike, kulturore, arti etj.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se rikthimi i armëve të Skënderbeut, pas shekujsh në dheun e vet, është një moment shumë i rëndësishëm dhe emocionues për shqiptarët. "Ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të pavarësisë është dekorata më e bukur e këtij përvjetori”, theksoi Kryeministri.

Zv/Kancelari i Austrisë, Sindelegger vlerësoi se ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë vit jubilar simbolizon miqësinë e hershme midis Shqipërisë dhe Austrisë, miqësi që bëhet gjithnjë e më e fortë.

Koleksionuesi i objekteve të Skënderbeut ishte Arqiduka i Tirolit, Ferdinandi (1529-1595), biri i perandorit austriak Ferdinandi I (1503-1564) dhe vëllai i perandorit Maksimilian II.

KOMENTE