“Si 100 vjet më parë ashtu edhe sot Austria mbetet një mbështetëse e fortë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve” tha sot Kryetarja e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli në takimin me zëvendëspresidentin e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, deputetin e parlamentit austriak Volfgang Grosruk.
Zoti Grosruk ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, veçanërisht në ekspozimin pas katër shekujsh në Shqipëri, të shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut mbërritur nga Muzeu Historik i Artit në Vjenë.
Ai tha se, ashtu siç e deklaroi Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer gjatë takimit me kryeparlamentaren shqiptare Jozefina Topalli, tashmë shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut ndodhen në Tiranë si simbol i miqësisë së fortë mes dy vendeve tona.
Zoti Groskruk tha se në çdo hap historik, në çdo aspiratë të saj, Austria ka qenë dhe do të jetë krah jush.
Si zëvendëspresidenti i Asamblesë parlamentare të OSBE-së, zoti Grosruk përgëzoi për organizimin e Asamblesë Parlamentare në Shqipëri.
“Ishte një organizim i shkëlqyer, tha ai, dhe të gjithë kanë mbetur të impresionuar nga niveli i lartë, kujdesi në çdo detaj dhe sigurisht të impresionuar nga Shqipëria.”
Për Kryetaren e Kuvendit jo vetëm organizmi për herë të parë i një Asambleje të tillë në Shqipëri, por edhe ardhja e rreth 200 parlamentarëve ishte diçka e jashtëzakonshme dhe një mundësi e madhe për të parë nga afër ndryshimet pozitive dhe transformimet e mëdha.
Kryetarja e Kuvendit dhe zoti Grosruk, i cili është edhe Kryetar i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Austri, theksuan rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, si themelor në marrëdhëniet mes dy vendeve.