English

Atmosferë madhështore kuq e zi në Tiranë. (VIDEO)

Kryeqyteti i Shqipërisë është përfshirë nga një atmosferë e veçantë festive me afrimin e 28 nëntorit, 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Banorët kanë ngritur flamurin kombëtar në shumë dritare e ballkone të shtëpive të tyre. Tirana është mbuluar e gjitha nga ngjyrat kuq e zi të flamurit.
Simbolet kombëtare janë përhapur këto ditë më shumë se kurrë në të gjithë kryeqytetin. Institucionet shtetërore kanë vendosur flamuj gjigandë në fasadat e tyre dhe zbukurime kuqezi. Në ndërtesën kryesore të parlamentit përkrah flamurit në të gjithë fasadën është shfaqur i zmadhuar edhe dokumenti kryesor historik, akti i shpalljes së pavarësisë së bashku me firmat e 40 burrave themelues të shtetit shqiptar.

Bashkia e Tiranës ka vendosur zbukurimet e saj festive në çdo pemë, semafor ndiçues të qytetit, në çdo rrugë e shesh. Flamuri mbizotëron edhe në gjithë mjetet e transportit publik dhe privat. Autobusët e të gjitha linjave dhe automjetet private janë mbuluar dhe bartin me vete flamurin kombëtar në çdo drejtim trafiku.

Sheshi Skënderbej shkëlqen nga dritat e festës. Një numër i madh vizitorësh vendas dhe të huaj kanë mbushur kryeqytetin. Fasada e hotel Tiranës është mbuluar e gjitha me flamur, po ashtu edhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Mijëra njerëz shëtitin dhe bëjnë foto pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbej.

Muzeu Historik si asnjëherë më parë është mbipopulluar nga mijëra vizitorë që mbajnë rradhë të gjata për të parë nga afër armët dhe përkrenaren e Kastriotit, të ardhura nga Viena për 100 vjetorin e pavarësisë. Ndërsa në Bibliotekën Kombëtare mijëra vizitorë të tjerë vizitojnë admirojnë “Mesharin” e Gjon Buzukut, librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe, të ardhur nga Vatikani enkas për festën.

Në krah të muzeut kombëtar sapo është ngritur monumenti i Hasan Prishtinës, patriotit nga Kosova dhe bashkëpunëtorit kryesor të Ismail Qemal Vlorës, ndërsa në parkun Rinia ende është duke u ndërtuar monumenti i pavarësisë. Kryeqyteti shqiptar, si rrallë ndonjëherë, po i gëzohet 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit dhe kjo ndihet në çdo detaj, qysh nga flamujt gjigandë që mbulojnë fasadat, konferencat shkencore, koncertet dhe deri tek veshjet e fëmijëve që shëtitin bashkë me prindërit në gjithë këtë atmosferë festive plot këngë, emocione dhe kujtime të heronjve.(zëri i Amerikës)
1528

KOMENTE