English

“Doktor Kasaphana, të dënon FRESSH Tirana”

Të rinjtë e FRESSH Tirana kanë shprehur sot kundërshtinë dhe indinjatën e tyre të hapur lidhur me aktin sa të pakuptimtë aq edhe të turpshëm të qeverisë shqiptare, e cila në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë ka parashikuar të therë në Tiranë 2 mijë krerë bagëti të imëta. Të rinjtë eurosocialistë nënë moton “Doktor Kasaphana, të dënon FRESSH Tirana” kanë protestuar sot para Kryeministrisë në lidhje me këtë akt, të cilin e kanë konsideruar si një akt tribal që nuk ka asgjë të përbashkët me aspiratat evropiane te popullit shqiptar.

Duke marrë fjalën në këtë protestë nënkryetari i FRESSH, Juxhin Çela ka theksuar se therja masive e kafshëve për 100-vjetorin është një gjest që nuk përmban kurrfarë simbolike. “Është e papranueshme ajo që po ndodh. Therja masive e 1000 qengjave dhe deshve, nuk përmban asnjë simbolikë për një popull i cili aspiron për vlera oksidentale. Përkundrazi, ky gjest e tribalizon aspiratën tonë”, është shprehur Çela. Keisi Seferi, një tjetër anëtare e FRESSH Tirana, e quajti një “megakurban” të turpshëm atë që do të ndodhë në Tiranë më 28 Nëntor: “Më 28 Nëntor në Tiranë do të tubohet me një megakurban kafshësh të pafajshme. Ky është një turp shumë i madh për kombin tonë”. Ndërsa Shpati Kolgega, u shpreh: “Shqiptarët meritojnë të festojnë si qytetarë dhe si europianë, duke shmangur orientalizmat e tejkaluara”.

 
Gjatë protestës, të rinjtë eurosocialistë mbanin në duar postera të mëdhenj në të cilët përmes fotomontazheve, karikaturave dhe sloganeve ironizohej dhe kundërshtohej ideja mesjetare e kryeministrit për ta kthyer kryeqytetin në një kasaphanë gjigande. Ata shprehën bindjen se qytetarët e Tiranës por edhe të mbarë Shqipërisë, jo vetëm nuk e miratojnë, por e neverisin një akt të tillë, që nuk është gjë tjetër veçse kapriçoja e radhës e plaku të rrjedhur.

KOMENTE