English

Shtatorja e Hasan Prishtinës ngrihet në Tiranë

Në Tiranë është vendosur edhe shtatorja e patriotit të shquar Hasan Prishtinës në një prej shesheve kryesore të Tiranës, realizuar nga skulptori Artan Peqini. Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së shtatores së patriotit të shquar Hasan Prishtina.

E pranishme në këtë ceremoni të organizuar nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishte edhe Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, si dhe të ftuar të tjerë.

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse, vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Hasan Prishtinës për pavarësinë e Shqipërisë. “Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Për kryeqytetin e Shqipërisë është një ditë e shënuar, pasi vendoset këtu apo kthehet në kryeqendrën e Shqipërisë arkitekti i Shqipërisë etnike, arkitekti i pavarësisë së Shqipërisë, burri i madh që shkriu energjitë e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, për pavarësinë e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. Hasan Prishtina me veprën e tij, me të gjithë përkushtimin e tij, u shndërrua në flakëmbajtësin e idealit të bashkimit kombëtar të Lidhjes së Prizrenit. Ky burrë trim, guximtar e i mençur i kombit udhëhoqi lëvizjet më të mëdha çlirimtare që shqiptarët kanë pasur në kohërat moderne. Përfaqësuesi i shqiptarëve në Parlamentin e Perandorisë Osmane do të zotohej solemnisht se “unë do të organizoj kryengritje të armatosura për çlirimin e shqiptarëve, do të bëj gjithçka për Shqipërinë etnike”. Pas takimit të njohur tashmë në histori me Ismail Qemalin dhe një grup burrash të mëdhenj të kombit shqiptar, në Taksim, ai mori përsipër organizimin e kryengritjeve çlirimtare të shqiptarëve për të themeluar Shqipërinë etnike. Hasan Prishtina u kthye në Kosovë, në Drenicë, në Prekaz, Krujën e dytë të shqiptarëve dhe nisi organizimin e asaj lëvizje të madhe çlirimtare që do të përmbyste qeverinë xhonturke, qeverinë që erdhi me parulla të Revolucionit Francez, të cilat Hasan Prishtina i kishte bërë të vetat, por që dëshmoi armiqësinë më të madhe të shqiptarëve. Ky vizionar i madh parashikoi se aleanca Ballkanike nuk ishte gjë tjetër, përveçse aleancë e shenjtë kundër shqiptarëve, aleancë për copëtimin e trojeve të tyre, aleancë për asgjësimin e shqiptarëve. Ai kuptoi se shqiptarët i pret një pushtim i dytë i tipit të Dushanit, pushtim që synonte ekstreminimin përfundimtar të tyre. I vetëm, me një mbështetje të gjerë popullore, u ngrit kundër kësaj aleance, u ngrit kundër Portës së Lartë dhe bëri që zëri i shqiptarëve të ushtojë fuqishëm në të gjitha kancelaritë e botës.

Kryengritja e vitit 1912 e udhëhequr nga ky vigan jehoi në mbarë botën e qytetëruar. Hasan Prishtina nuk mundi të ishte në Vlorë ditën e shpalljes së flamurit, sepse aleanca antishqiptare e barbarëve që sulmuan trojet shqiptare e arrestuan atë dhe e mbajtën peng për muaj të tërë në Beograd. Përsëri i lirë do t’i përkushtohej më shumë se kushdo tjetër, do të vendoste gjithçka dhe mbi çdo gjë Shqipërinë etnike, bashkimin e trojeve shqiptare. Më pas në qeverinë e Ismail Qemalit, në qeverinë e Princ Vidit, në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, përsëri ai u bë protagonisti kryesor i shqiptarëve, të trojeve të tjera të pushtuara nga armiqtë dhe fqinjët tanë.

Sot, Hasan Prishtina vjen këtu në gjirin e qytetarëve të kryeqytetit, në gjirin e qytetarëve shqiptarë. Ai qëndron madhërishëm në Prishtinë, qëndron në Shkup, ish kryeqyteti i lëvizjeve shqiptare nga i cili Hasan Prishtina do të trondiste në themele Portën e Lartë, do të shpaloste projektin e bashkimit të trojeve shqiptare. Ai vjen sot më krenar se kurrë, sepse shqiptarët janë të lirë në të gjitha trojet e tyre etnike, sepse shqiptarët janë sot me vetëdijen më të madhe se kurrë për të punuar me përkushtim për të shndërruar në realitet idealin e pavdekshëm të Lidhjes së Prizrenit, idealin e pavdekshëm të Hasan Prishtinës, idealin e bashkimit të shqiptarëve.

Duke shprehur krenarinë tonë të madhe për këtë burrë të shquar të kombit, këtë arkitekt të pavarësisë së Shqipërisë, këtë arkitekt të bashkimit të shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, le të punojmë ne së bashku për të shndërruar në realitet ëndrrën e tij në një Evropë të Bashkuar.

Nder kujtimit dhe veprës së Hasan Prishtinës!”

KOMENTE