English

Berisha: Shqipëria, pika e mjaltit në investimet në energjinë e rinovueshme në Evropë

"Shqipëria ofron potenciale të mëdha në fushën e energjisë. Sot ajo është pika e mjaltit në investimet në energjinë e rinovueshme në Evropë", është shprehur
Kryeministri Berisha dje në çeljen e panairit Klip Ekspo Group, në Tiranë. Ky panair, i cili do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 nëntor, ka sjellë në Tiranë rreth 800 biznese, nga 30 vende të ndryshme nga rajoni dhe mbarë bota, të cilët kanë ekspozuar produktet e tyre. Organizimi i panairit vjen edhe si një kontribut e nderim për kombin shqiptar, në 100 vjetorin e pavarësisë së tij.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve Sokol Olldashi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Zëvendëskryeministri i Kosovës Bexhet Pacolli, Zëvendëskryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari, Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraçini, Presidenti i Klik Ekspo Group Luan Muhametaj e shumë drejtues e menaxherë të fushës së biznesit nga shumë vende të botës.

Në këtë ceremoni, Presidenti i panairit Klik Ekspo Group i akordoi Kryeministrit Berisha Medaljen “Shqiponja e Artë”, me motivacionin; “Figurë themeltare e historisë së demokracisë dhe promotor i projekteve madhore të zhvillimit të vendit, në 100 vjeçarin e parë të shtetit shqiptar”.

Duke shprehur falënderimet më të përzemërta për këtë vlerësim, Kryeministri tha se e pranonte atë “si zotim solemn për të punuar së bashku për përmirësimin e klimës së biznesit dhe zgjerimin e pandërprerë të lirisë ekonomike, lirisë fiskale dhe tregut të lire në tërësi”.

Kryeministri theksoi se ky është panairi më i madh në historinë e vendit tonë, panairi më i pasur, në të cilin marrin pjesë kompani nga të katër anët e botës, me një prezencë të fuqishme të ekonomisë më në rritje, më dinamike të planetit, që është ekonomia e Republikës Popullore të Kinës. Kryeministri shfrytëzoi këtë rast për të siguruar të gjithë investitorët vendas e të huaj se qeveria do të vazhdojë të bëjë gjithçka për suksesin në rritje të tyre, në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, duke ftuar të gjithë investitorët të konsiderojnë në mënyrë më serioze praninë e tyre me investime në Shqipëri, bëri një përmbledhje të potencialeve kryesore dhe fushave që ofron Shqipëria, si dhe masave të marra nga qeveria shqiptare në mbështetje dhe lehtësim të biznesit. Kryeministri përmendi këtu potencialet e mëdha në fushën energjetike, në turizmin bregdetar e malor, në parqet logjistike, në fushën minerale etj.

KOMENTE