English

Bujar Nishanit i dhurohet seria e monedhave përkujtimore

Presidentit të Republikës, Bujar Nishani ka marrë dhuratë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, serinë e monedhave përkujtimore, që Banka e Shqipërisë ka emetuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Presidenti Nishani e falenderoi Guvernatorin Fullani për dhuratën simbolike duke i shprehur vlerësimet e tij për serinë e monedhave të emetuara që evidentojnë figurën e babait të kombit Ismail Qemali, simbolin tonë kombëtar në flamur shqiponjën dykrenore dhe Aktin e Pavarësisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e njohu Presidentin Nishani me ekspozitën numizmatike që organizoi Banka e Shqipërisë në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë, me temë “100 vjet Pavarësi: Pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare”, ekspozitë e cila udhëtoi në tetë qytete të rëndësishme të vendit dhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Kreu i Shtetit e vlerësoi këtë ekspozim të historikut të monedhës dhe të kartëmonedhës shqiptare, që synon të sjellë në vëmendje të publikut zhvillimin e Bankës Qendrore në Shqipëri, që daton pas shpalljes së Pavarësisë.

KOMENTE