English

Durrësi dhe kontributi i tij për 100-vjetorin e Pavarësisë

Aktivitetet festive të organizuara nga Partia Socialiste me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë janë ndalur në qytetin e Durrësit. Gjatë paradites së djeshme ishte bashkia e këtij qyteti që krijoi një atmosferë fantastike në qendër të qytetit duke improvizuar dhe rikthyer në vëmendjen e qytetarëve ardhjen e plakut të urtë Ismail Qemali, në qytetin e Durrësit, përpara se ai të nisej drejt Vlorës, për të shpallur pavarësinë dhe ngritur flamurin kombëtar.

Ndërsa pasdite në mjediset e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin bregdetar, Partia Socialiste ka organizuar një simpozium shkencor me temë “Kontributi i Durrësit në 100-vjetorin e Pavarësisë”.

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në këtë simpozium është shprehur kështu për qëllimin e këtij aktiviteti “Nëpërmjet këtij simpoziumi rivlerësojmë figurat që dhanë kontribut të çmuar historik në ngritjen e flamurit në qytetin tonë. Nuk po shkruajmë historinë, por po u japim mundësi të rinjve durrsakë të njihen me ato dokumente të mohuara nga regjimi komunist, të njihen me historinë e vërtetë të qytetit të Durrësit.”
Vangjush Dako theksoi se ftesa për Edi Ramën në këtë simpozium ishte edhe si trashëgimtar i një familjeje patriotike të qytetit bregdetar “Ftuam Edi Ramën jo vetëm si kryetar të Partisë Socialiste, po dhe si një stërnip Durrësi, pasi familja është e shquar në qytetin tonë për vlerat patriotike dhe stërgjyshi i tij është një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë së Durrësit.”

Duke hapur këtë simpozium, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është shprehur: “Do kisha dëshirë të mos merrja kohën e të ftuarve. Me shumë krenari, me shumë emocion, jam sot këtu jo vetëm si kryetar i Partisë Socialiste, por edhe si djalë, nip dhe stërnip i këtij qyteti, duke mos e fshehur dot edhe krenarinë e posaçme në këtë ditë të shënuar për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të stërgjyshit tim në ngritjen e flamurit në qytetin e Durrësit, gjë, që sigurisht në momente si ky përbën edhe një barrë shumë të madhe përgjegjësie lidhur me emrin e familjes dhe me trashëgiminë e mrekullueshme në këtë rast të paraardhësve. Kështu që duke e falënderuar edhe nga zemra kryetarin e bashkisë, duke falënderuar nga zemra dhe dy miqtë e mi të vjetër, por gjithnjë të rinj për shkak se janë të paepur pavarësisht viteve që ikin Artan Shkrelin dhe Artan Lamen, do t’ia lija fjalën historianit të nderuar të qytetit, Hajredin Isufi, i cili ka të gjithë njohjen e nevojshme për ta bërë këtë takim me një interes të posaçëm edhe për më të rinjtë që janë këtu të pranishëm”.

Historiani, Hajredin Isufi duke folur për rolin e qytetit bregdetar në zhvillimet historike të viteve përpara dhe gjatë shpalljes së pavarësisë është shprehur: “Durrësi si qytet ka qenë i vogël, nuk kalonte më shumë se 2500-3000 banorë në fillim të shekullit. Por ishte me një vlerë të veçantë sepse ishte një qendër e rëndësishme tregtare, por ishte edhe një qendër diplomatike, sepse përfaqësuesit e vendeve të huaja në Durrës kishin selitë e tyre. Durrësi ishte edhe qyteti që bënte kontaktet e para me patriotët jo vetëm durrsakë, por edhe të gjithë Shqipërisë”. Isufi ka shpjeguar se në atë kohë në Durrës tre komunitete fetare ishin mjaft aktive. “Kemi komunitetin mysliman që përbënte shumicën, komunitetin ortodoks që ishte më i vogël dhe komunitetin e katolikëve që ishte gjithsej 40 familje. Të tre këta komunitete kishin një harmoni shumë të madhe. Mirëpo në Durrës kishte influenca si nga grekët, si nga turqit, qoftë edhe influenca të ndryshme. Por figurat kryesore që i dhanë jehonë Durrësit, që e shquajtën Durrësin, dhe e bën një qytet që ishte zemra e lëvizjes kombëtare shqiptare, ishte komuniteti ortodoks”, ka theksuar historiani.

Duke folur pikërisht për rolin e komunitetit ortodoks Isufi është ndalur në rolin e vëllezërve Mihal e Kristaq Rama. Komuniteti ortodoks në këtë kohë kryesohej nga dy vëllezërit Mihal Rama dhe Kristaq Rama. Mihal Rama ishte një publicist i shquar. Shkrimet e Mihal Ramës i gjejmë në shtypin e kohës që në vitin 1902 me pseudonimin MR, RM ose Mihal Rama. Ndërsa Kristaqi ishte njeriu më i kulturuar në këtë kohë në Durrës. Kishte mbaruar shkollë normale, kishte ardhur dhe ishte vendosur në shkollën greke të Durrësit. Nëpërmjet Kristaq Ramës u mundësua që fëmijëve durrsakë t’u jepej edhe krenaria kombëtare. Ai krahas mësimeve që bënte shpjegonte për historitë, për traditat, për historinë e Skënderbeut, për luftërat e shqiptarëve për pavarësi. Më vonë qeveria greke, veçanërisht nënkonsulli i manastirit u zemërua shumë qoftë me Kristaq Ramën, qoftë me Pali Terkën, qoftë me Mihal Ramën. Sepse në këtë kohë donin që abetarja të shkruhej me alfabetin grek. Patën një debat shumë të ashpër, ata e bojkotuan këtë kërkesë dhe u bë një incident në shkollën greke. Që nga ky moment ata largohen nga shkolla”, ka treguar historiani Isufi. Ai më pas ka folur edhe për rolin e atdhetarëve të tjerë me peshë në zhvillimet e kohës, që çuan në përgatitjen e kushteve për shpalljen e pavarësisë në Vlorë.

Më pas në simpoziumin shkencor fjalën e ka marrë studiuesit Artan Shkreli dhe Artan Lame. I pari ka mbajtur referatin me temë “Stemat mesjetare të Durrësit”dhe pas tij Lame ka folur për periudhën e shpalljes së Durrësit si kryeqytet i Shqipërisë në vitet 1914, kohë që i përket ardhjes në fuqi të Princ Vidit në Shqipëri.

KOMENTE