Darling Vlora, pasardhës i themelimit të pavarësisë së Shqipërisë, zbuloi dje në mbrëmje shtatoren e Ismail Qemal Vlorës së bashku me Kryeministrin Berisha, shtatore e vendosur në një nga lulishtet në qendër të Tiranës.
Në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të larta të vendit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetarët e komunës së Prishtinës në Kosovë, i komunës së Tetovës në Maqedoni, i komunës së Ulqinit në Mal të Zi, i komunës së Preshevës, pasardhës të familjes së Ismail Qemalit, Kryeministri Berisha e konsideroi vendosjen e shtatores së Ismail Qemal Vlorës në Tiranë, një akt që i mungonte kryeqytetit, për të nderuar burrin më të madh të historisë kombëtare.
“Në rast se sot, ne jemi të lirë, kudo që jetojmë dhe ekzistojmë si të tillë, kjo është falë këtij akti, falë këtij burri dhe bashkëpunëtorëve të tij, që në kushtet më të vështira dhe me një guxim mbinjerëzor ngritën në Vlorë, flamurin e Skënderbeut,” - u shpreh Kryeministri, duke e konsideruar këtë edhe aktin e themelimit të Shqipërisë etnike.
Ismail Qemali, të gjithë shqiptarët që punuan e luftuan për lirinë e dinjitetin e shqiptarëve, nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot, tha Kryeministri, “mbyllën sytë me një ëndërr të vetme, të cilën çdo shqiptar, i frymëzuar nga guximi i tyre, duhet ta lexojë me ndershmëri, me guxim e kurajë. Ajo ishte ëndrra e bashkimit të shqiptarëve.”