Takimet e Poeteshave Shqiptare Vushtrria 2012 -
“Çmimi i Qytetit te Vushtrrise” i është ndarë poetes korçare që jeton në SHBA Raimonda Moisiu për poezinë “Prag nate në Francë”, Gjithashtu Raimonda Moisiu u nderua me "MIRENJOHJEN e QYTETIT", nga Komuna e Vushtrrise dhe Grupi i Deputeteve Gra ne kete eveniment!
"Çmimi i dytë i është ndarë poetes dhe shkrimtares nga Saranda Dr. Irena Gjoni për poezinë “Atdheu im”.
Me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, poete nga gjithë trojet shqiptare dhe nga diaspora janë mbledhur në qytetin e Vushtrrisë në manifestimin letrar të poezisë së gruas shqiptare krijuese, Takimi i poeteshave shqiptare.
Në këtë manifestim tashmë tradicional që mbahet për të 30 herë me
radhë në qytetin e Vushtrrisë, po marrin pjesë poete shqiptare nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Maqedonia Evropa perëndimore e SHBA-të. Në Vushtrri të Kosoves ne Manifestimin e Poezisë "Takimet e Poeteshave Shqiptare" mbahen për dy ditë me 23 dhe 24 nëntor. Pas Homazheve në Memorialin e Dëshmorëve, Lapidari i Martirëve, Shtatorja e Adem Jasharit, Përmendorja e Zahir Pajazit Vushtrri, Varrezat e Dëshmorëve në Vushtrri dhe Memoriali në Prekaz, poeteshat vizituan ekspozitën e Lulzime Leka – Mulaku në Qendrën e Kulturës „Hasan Prishtina“, ku edhe u mbajt Mbrëmja Letrare. Poeteshat e ardhura nga vise te ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, e shtete të tjera të botës, recituan poezitë e botuara ne Buletinin e 30 vjetorit Takimet e Poeteshave Shqiptare Vushtrria 2012. Unë me veshjen me xhubletë të Vlorës, qendisur me fije ari nga“Tradita Popullore Edlira“ dhe me flamurin kuq e zi në gji, pas interpretimit të poezisë së përzgjedhur me titull:Jetën të ndryshojmë, përshëndeta në emër të Unionit te Krijuesve dhe Artisteve, Banka e Ideve e Kampusit Universitar Vitrina. Pasi urova për 100 vjetorin e shpalljes se Pavarësisë, falenderova mikpritësit dhe i dhurova kryetarit të Komunës Vushtrri z. Bajram Mulaku, botimin tim të fundit poetik në 7 gjuhë „Porta e shpirtit“, së bashku më flamurin tonë kombëtar, që u prit me duartrokitje nga të pranishmit, që kishin mbushur sallën e Qendrës së e Kulturës „Hasan Prishtina“.
Kryetari i kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqi vlerësoi lartë kontributin e atyre burrave në organizimin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. “Ata burra shpallën Shqipërinë të pavarur të përbërë nga 4 vilajetet e dikurshme”. Ai gjithashtu përmendi frymëzimet e pjesës tjetër të trojeve shqiptare që kanë marrë nga viti 1912. “Idealet e ideatorëve të 1912-tës u gërshetuan në luftën e UÇK-së e që rezultoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës me 17 Shkurt 2008. Shqiptarët janë komb i lirë dhe i bashkuar” tha Krasniqi.
Kryetari i komunës Bajram Mulaku në këtë akademi ka folur në aspekt kronologjik të historisë së shqiptarëve në këta 100 vjet. “28 Nëntori 1912 është datë që mbajti gjallë shpresën e lirisë dhe demokracisë në trevat tona per 100 vjet.
Poezia “Si ia tregova rrugën një turisti” e poetes nga Aida Rexhepi nga Prizreni është vlerësuar me çmimin e parë nga juria e manifestimit poetik “Takimet e poeteshave shqiptare 2012”. Çmimi i dytë i është ndarë poetes nga Saranda Irena Gjoni për poezinë “Atdheu im”. Ndërkaq çmimi i tretë i është ndarë poetes vushtrriase Fatmire Duraku për poezinë “Lulja e dhembjes:.
Në nderim të krijimtarisë letrare të poetit të madh Ali Podrimja, i cili dha kontribut të madh për shumë vite pikërisht në manifestimin “Takimet e poeteshave shqiptare”, këtë vit drejtuesit e këtij manifestimi ka ndarë edhe çmimin “Ali Podrimja”, e cila i takoi poetes Afërdita Haliti për poezinë “Qyqen nuk e kam fis”.
Po ashtu në këtë manifestim “çmimi i qytetit” i është ndarë poetes korçare që jeton në SHBA Raimonda Moisiu për poezinë “Prag nate në Francë”, ndërkaq çmimi i grave deputete të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë i është ndarë poetes nga Theranda Sherife Thaçi Berisha për poezinë “28 nëntori”.
Poezitë e 35 poeteve që ishin në konkurrim në mbrëmjen letrare në mbrëmjen e së premtes, i ka vlerësuar juria në përbërje Ibrahim Kadriu kryetar, Salih Bashota e Bedri Tahiri anëtar.
Ne mbyllje Kryetari i komunës Bajram Mulaku në këtë akademi ka ndarë titullin “Krenaria e Kombit” për Hasan Prishtinën, Azem dhe Shotë Galica, Aziz Zhilivoda dhe Mehmet Konjuhi. Mirënjohjet dhe titujt iu ndanë familjarëve të këtyre patriotëve. Ansambli profesional i këngëve dhe valleve “Hasan Prishtina” shfaqi një program shumë të pasur artistik, në të cilin pikë e veçantë ishte shfaqja premierë e valles “Baresha” të interpretuar nga trupa e valltarë.