Në prag të festës së 100 vjetorit të pavarësisë, Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në ceremoninë e inaugurimit të memorialit të Shqiponjës, e cila ka pagëzuar me të njëjtin emër sheshin në të cilin është vendosur.
Monumenti madhështor, simbolikë në shekuj e kombit shqiptar vjen për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, si një punim dinjitoz i artistëve shqiptarë me autor Albi Çifligun, mundësuar me kontributin financiar të familjes Destani nga Tetova. Memoriali me lartësi 10 metra, vepër e derdhur në çelik të rëndë, u zbulua për të pranishmit bashkërisht nga kryeministri Berisha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulëzim Basha dhe nga kryetarët e komunave dhe bashkive të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, të cilët u mblodhën së bashku për të festuar këtë ngjarje.
Me urimin drejtuar mbarë shqiptarëve, për 28 nëntorin, kryeministri Berisha tha se shqiponja dykrenare është simboli i përjetshëm i kombit shqiptar, e cila nga 28 nëntori i vitit 1912, u ngrit nga Vlora heroike për të për të fluturuar përjetë në trojet shqiptare dhe për ti prirë kombit shqiptar në lartësi gjithnjë e më të mëdha.
Kryeministri falënderoi me mirënjohje bashkinë e Tiranës, familjen Destani, dhe ideatorët e veprës që me talentin dhe aftësinë e tyre, iu dhuruan shqiptarëve këtë monument madhështor.