Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari është përjetësuar në bronz, në kryeqytetin shqiptar. Me një ceremoni ushtarake, siç i ka hije një komandanti, Bashkia e Tiranës organizoi inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, 6 metra i lartë. Krahas truprojës së nderit të ushtrisë shqiptare, merrnin pjesë edhe 23 ushtarakë të forcës së sigurisë së Kosovës.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe zoti Rifat Jashari kanë zbuluar shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari. Më pas, personalitetet e larta, të ardhura nga të gjithë trojet shqiptare, Presidentja e Kosovës znj. Ahtifete Jahjaga, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, Kryeministrat Berisha e Thaçi, Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, familja Jashari, ministrat e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Kosovës, Kryetari i BDI Ali Ahmeti, Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa vendosën kurora me lule, para shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, me një emocion të veçantë, edhe për shkak të lidhjes së gjakut me Drenicën e Adem Jasharit, deklaroi se Tirana është sot krenare, që e ka Adem Jasharin sërish në gjirin e vet:
“Të gjithë e dimë, se kur shumëkush nga ne ndoshta do të jetë tretur, Adem Jashari do të qëndrojë këtu, i paplakshëm dhe i paperëndueshëm, sepse heronjtë, e mirëfilltë si ai, e mundin kohën dhe e shtrëngojnë fort në putrat e tyre prej luani.
Dhe për shekuj, ky emër dhe kjo legjendë e vërtetë, do të ngjallë adhurim dhe shtangie, adhurim për ne dhe shtangie për këdo që do të guxonte t’i shkaktonte dhimbje kësaj toke, sepse prej dhimbjes, kjo tokë ka dëshmuar se di të ringjallë çlirimtarët e dhimbjes dhe nismëtarët e lirisë së mohuar. Tirana është sot krenare, që e ka Adem Jasharin sërish në gjirin e vet”.
Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari ka apeluar për bashkim, si mënyrën e vetme, për ta çuar amanetin e të rënëve, aty ku ata e dëshironin:
“Dëshiroj që populli shqiptar, gjithmonë të jetë i bashkuar dhe bashkë t’ia arrijmë qëllimeve tona. Për ata që luftuan deri më tani, t’ua çojmë amanetin e tyre, ku ata dëshiruan!”
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, për realizimin e kësaj shtatoreje:
“Gjatë tërë vitit, ne festuam dhe kremtuam bashkarisht dhe shpesh me Kryeministrin Berisha, anë e kënd Shqipërisë dhe Kosovës. Festuam dhe kremtuam anë e kënd në Maqedoni e Preshevë, edhe në viset shqiptare në Mal të Zi, kremtuam edhe në diasporë, por ky tubim sot, pas atij në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Drenicë, Karadak, Dukagjin e kudo, është tubimi që i jep kuptim manifestimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sepse komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij i dhanë kuptim lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, i dhanë kuptim shqiptarizmit, i dhanë kuptim përmbylljes me sukses të shekullit që lamë pas, për t'i hapur një horizont të ri të ardhmes së kombit shqiptar, horizontin e shekullit të ri, e shekullit të bashkimit të kombit shqiptar”.
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha është zotuar para shtatores së Adem Jasharit, simbolit të qëndresës së shqiptarëve për liri, se sëbashku me liderë të tjerë nga mbarë trojet shqiptare do të bëjnë gjithçka, që të shndërrojnë në realitet idealin e shenjtë, për të cilin ra Adem Jashari dhe mijëra martirë të kombit:
“Sot ne jemi këtu nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kemi vendosur lule dhe ndihemi krenarë me ju, komandant, por sot jemi këtu edhe për t’u zotuar solemnisht se të frymëzuar nga vepra jote, nga legjenda jote dhe qindra e mijëra heronjve e martirëve të këtij kombi do të bëjmë gjithçka që të shndërrojmë përfundimisht në realitet, idealin e shenjtë për të cilin t’i bëre sakrificën më sublime, për të cilën shqiptarët gjatë një shekulli ranë për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e kombit tonë, për të bërë realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më e bukur, si ëndrra e vërtetë evropiane e këtij kombi”