“E konsideroj veten shumë të nderuar që jam në Shqipëri në ditën e 100 vjetorit të Pavarësisë”, tha Kryetari i Parlamentit të Italisë, Gianfranko Fini, në takimin me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Çoba Topalli.
“Miqësia vjen para gjithçkaje ndaj dhe sot jam shumë i lumtur që ndodhem këtu”, tha zoti Fini, i cili ndodhet në Shqipëri, me ftesë të Kryetares së Kuvendit për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
Për Kryetaren e Kuvendt vizita e zotit Fini në këtë ditë kaq të madhe për kombin tonë është një simbol shumë domethënës i miqësisë së fortë me rrënjë të thella mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Është një ditë emocionuese por edhe një ditë reflektimi”, tha zonja Jozefina Topalli. Është ditë kur vlen të kthejmë kokën pas e të shohim se sa shumë kemi bërë për kaq pak vite në liri, pas gjysëm shekulli nën diktaturë.”
Dy Kryetarët e parlamenteve theksuan me kënaqësi faktin se Italia ka qenë e pranishme krah Shqipërisë, në mbrojtje të saj që në fillimet e krijimit të shtetit. E po ashtu vijon edhe sot, një avokate e aspiratës integruese në familjen evropiane.
E ardhmja i takon forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në kapërcim të shekujve, e ardhmja i takon takimit të dy popujve në Evropën e bashkuar.