Në deklaratën e tij në Vlorë Kryeministri Berisha lexoi atë që kishte shkruar në pergamenë:
"Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!"
Ndërkohë që Ministri i Jashtëm i Greqisë, Avramopulos ka anuluar vizitën e parashikuar në Tiranë në momentin e fundit pasi shkak është bërë deklarata e Berishës për bashkim kombëtar, Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha e pyetur mbi deklaratën e bërë nga Kryeministri Berisha, në Vlorë, në të cilën u citua Preveza, thekson se deklarata e Kryeministrit i referohet kontekstit historik të 100 viteve më parë dhe nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve tanë te Jugut, Veriut apo Lindjes.