Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje në mesditë në inaugurimin e rrugës “Kont Leopold Bertold”, e cila lidh bulevardin “Bajram Curri” me rrugën “Ali Demi”, në Tiranë. Ky segment rrugor, i ndërtuar sipas parametrave e standardeve evropiane, i jep një zgjidhje problemit të trafikut në këtë zonë dhe në të gjithë qytetin.
Duke vlerësuar këtë investim të bashkisë së Tiranës, si vendosmëri për ta bërë kryeqytetin më mirë të jetueshëm nga qytetarët e saj, Kryeministri Berisha theksoi se rruga do të mbajë emrin e Kont Leopold Bertold, një nga burrështetasit më proshqiptarë të historisë së shqiptarëve.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën e çmuar që Austria i ka dhënë Shqipërisë në vite, si dhe mbështetjen nga ana e saj në procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugëtimin për integrimin në Bashkimin Evropian.