Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” veprimtarinë dhe kontributin e ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, William E. Ryerson në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, me motivacionin: “Mikut të shqiptarëve, që dha kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e marrëdhënieve diplomatike shtetërore midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe inkurajoi e mbështeti fuqishëm vendosjen e demokracisë në vendin tonë. Për ndihmesën e vyer në forcimin e marrëdhënieve miqësore, tradicionale ndërmjet popullit shqiptar dhe atij amerikan”.
Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle, ish-Presidenti Alfred Moisiu, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të tjera të politikës në vend.
Presidenti i Republikës mbajti një fjalë përshëndetëse, ku çmoi lart angazhimin e rrallë dhe përkushtimin e z. Ryerson në promovimin e vlerave më të mira të demokracisë në vendin tonë. Ndër të tjera, Kryetari i Shtetit solli në vëmendje një shprehje të njohur për ta cilësuar ambasadorin Ryerson, mikun e të gjithë shqiptarëve.
“Duke kujtuar shprehjen se një diplomat i vërtetë është ai, që, kur shkon me një mision në një vend, i bën dhe të tjerët ta duan atë vend, sot ne kemi shembullin më të mirë dhe më ekselent të kësaj shprehjeje. Ne shqiptarët jemi krenarë që kemi një mik kaq të madh dhe jemi një mik kaq i mirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në kujtesën e miqësisë ka shumë momente, por, duke nisur së pari me Presidentin Wilson, i cili mbështeti ekzistencën e Shqipërisë në momente tepër të rëndësishme, duke sjellë në memorie vizitën e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker dhe mesazhin e tij të madh për shqiptarët: “mirë se vini në botën e kombeve të lira”, më pas të gjithë kujtojmë ardhjen e të parit Ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, pas një ndërprerjeje prej 50-të vitesh të pajustifikuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasadorin Ryerson”, u shpreh Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria në kohën e Ambasadorit Ryerson ishte një Shqipëri e sapo dalë nga izolimi, një Shqipëri e varfër, ku ndasitë ishin të mëdha, por çdo ditë të kohës së qëndrimit të tij, Ambasadori Ryerson u foli shqiptarëve për të ardhmen e ndritur të Shqipërisë mes kombeve të lira.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti i Republikës u shpreh se “Ambasadori William Ryerson nuk e deshi Shqipërinë vetëm gjatë viteve, që punoi si ambasador në vendin tonë, por gjatë gjithë viteve në vijim dhe, në ditët e sotme ne e ndjejëm që, Ambasadori Ryerson e do Shqipërinë si një shqiptar i mirë dhe e ndihmon demokracinë tonë si një amerikan i vërtetë. Ne shqiptarët kemi një traditë të hershme dhe të pandryshuar, i respektojmë miqtë, por dhe i vëmë atë në krye të vendit. Ndaj, unë jam i kënaqur, jam krenar që në krye të kësaj ceremonie sot kemi Ambasadorin Ryerson për ta dekoruar me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e përmbylli fjalën e tij, Presidenti Nishani.
Në vijim, pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Urdhrin e lartë ish-Ambasadorit të SHBA-ve në vendin tonë, William E. Ryerson, i cili, përmes emocionesh të shumta, shprehu urimet më të mira dhe vlerësimet më të larta për popullin shqiptar në këtë 100-vjetor të Pavarësisë duke theksuar se “E pranoj këtë Urdhër dhe ndihem shumë, shumë i prekur, por e pranoj jo vetëm për veten time, por edhe për kolegët e Departamentit të Shtetit, të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, të bashkësisë shqiptaro-amerikane, që punuan për rivendosjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Thuhet se në botë ka 8 deri në 10 milionë shqiptarë. Ne të tjerët, që nuk e gëzojmë atë privilegj mund të quhemi me fat nëse kemi edhe një mik të vetëm shqiptar. Unë jam shumë më tepër me fat, sepse kam shumë miq shqiptarë. Ju falenderoj që ftuat disa prej tyre sot këtu!”