Në një atmosferë të ndezur jashtë të zakonshmes për Durrësin, Fryma e Re Demokratike zyrtarizoi degën e saj në këtë qytet. Ky aktivitet jo si të tjerët, kulmon shtrirjen e FRD-së në qytetin e nismëtarit të FRD-së, deputetit Gazmend Oketa.
Oketa: Nuk jam i penduar për kontributin që kam dhënë. Por tani, maxhoranca po rehabiliton diktaturën e vendi është në udhëkryq, ndaj duhet të përqafojmë Frymën e Re.
Topi: Stop privatizimit të shqiptarisë dhe imazhit shtetëror. Po uzurpohet edhe kryeprokuroria.
Me sa u duk nga salla e mbushur plot, popullariteti i Z.Oketa në Durrës vazhdon të jetë mbresëlënës.
“Pushteti aktual nuk përfaqëson më ëndrrën shqiptare te 1990-ës, as atë të 2005-ës, – deklaroi përpara bashkëqytetarëve të vet Oketa.- Ndaj sot duhet të përqafojmë Frymën e Re, që të ngjallim shpresën e vrarë dhe besimin e dëmtuar të qytetarëve”.
Oketa ishte kryefjala e Durrësit sot, teksa më tej, në emër të FRD-së, ai bëri thirrje edhe të reagojmë ndaj pretendimeve që e bëjnë Shqipërinë, Zvicër me det, ekonomi gjermane apo superfuqi kineze. Duke premtuar një politikë të re, jo përleshjesh e pazaresh, por betejë principesh e argumentesh, Oketa tregoi edhe një herë fisnikërinë e tij në politikë teksa tha: “ FRD ka hyrë në jetën e shqiptarëve si një shpresë e fortë ndryshimi. Nëse duam që e ardhmja jonë të jetë më e mirë, koha për ta siguruar atë, është tani!”
Mbështetjes së dukshme të qytetarëve durrsakë për Oketën i shtoi doza emocioni kreu i FRD-së, Z. Bamir Topi, i cili e cmoi deputetin e Durrësit si “model të politikës e parlamentarizmit në Shqipëri”
Në një transmetim live nga Durrësi, kreu i FRD-së iu drejtua shqiptarëve me dy pika kulmore të ditëve të fundit: Urimet për 100 vjetorin e pavarësisë, dhe gëzimin për shpalljen e pafajësisë së Rramush Haradinajt:
“Familja Haradinaj dhe Rramushi i kanë dhënë shumë Kosovës dhe shqiptarizmës. Ndaj për mua, për Frymën e Re Demokratike dhe për të gjithë ne, është emocion i vecantë dhe gëzim i pamasë t’i urojmë pafajësinë”. – deklaroi Topi.
Fokusi i fjalës së tij u përqëndrua më tej në evidentimin e shkeljeve të njëpasnjëshme që po bëhen në qeverisjen shqiptare, e cila po uzurpon të gjitha pushtetet.
“Pazare, keqqeverisje, financime të dyshimta, uzurpim të pushteteve e së fundmi, edhe personalizim të festës më të madhe kombëtare, shpalljes së pavarësisë. Kjo duhet të ndalë menjëherë,- tha Topi. – Qytetarët duan mirëqënie, vende pune, mundësi për përmirësimin e jetës e prestigj për të qenë qytetarë të denjë, e jo ekspertizë për gjithcka nga një njeri i vetëm, madje edhe për cmimin e tortës e mishit të qengjit” – u shpreh Topi.
Duke sjellë në vëmendje dëmet që qeverisja e kryeministrit aktual po iu sjell shqiptarëve, kreu i FRD-së u shpreh i bindur se ka ardhur momenti t’i japë fund me votë dhe me mjete demokratike modeleve të vjetra të qeverisjes, risisë e rotacionit, e jo thjesht zëvendësimit të pushtetit nga njëri individ tek tjetri.
Zyrtarizimi i degës së Durrësit shënon kulmin e inisiativës së saj për t’u shtrirë në të gjithë Shqipërinë.