English

Operacion në zemër vetëm me 10 cm hapje

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë javës që shkoi mjekët e shërbimit të kardiokirurgjisë në bashkëpunim me mjekët italiane kanë kryer 9 ndërhyrje të rralla, ku 3 prej të cilave ishin për herë të parë për shkak të hapjes së vogël prej 10 centimetrash që u është kryer atyre në trup.

Sipas shefit të shërbimit të Kardiologjisë në QSUT, z. Edvin Prifti këto operacione janë të një niveli të lartë dhe është e pamundur të kryhen pa asistencën e specialistëve italianë.

Ndërkohë që për ministrin e Shëndetësisë z. Vangjel Tavo këto lloj ndërhyrjesh vlejnë për sistemin shëndetësor jo vetëm duke sjellë risi, por edhe duke ulur ditë-qëndrimin e pacientëve në spital dhe për pasojë edhe koston.

“Këto ndërhyrje të cilat në vendin tonë kryhen për herë të parë por ajo ç’ka është e rëndësishme dhe duhet theksuar është se edhe në vende të tjera të zhvilluara kryhen këto lloj operacionesh. Nga informacionet që shefi i shërbimit të kardiokirurgjisë na jep është se ne jemi vendi i dytë në Ballkan që realizojmë ndërhyrje të të tilla. Kjo e rendit shëndetësisë shqiptare në shëndetësitë e zhvilluara duke tejkaluar, kapërcyer sfidat dhe kufijtë e bashkëpunimit me shtetet fqinje. Janë këto operacione të cilat do të vazhdojnë të kryhen në QSUT edhe në të ardhmen dhe ajo që është më e rëndësishme është se këto lloj ndërhyrje sjellin ulje të vdekshmërisë së pacientëve, ulje të ditë-qëndrimit dhe për pasojë edhe të kostos” ka theksuar Z. Tavo.

Ndërkohë për mjekun Italian Vittorio Vanini, Shqipëria ka arritur standarde të larta evropiane në mjekësi sidomos në pjesën e kardiokirurgjisë.

KOMENTE