Bashkia e Tiranës ka reaguar sërish, lidhur me shqetësimet që u krijojnë qytetarëve disa operatorë të transportit publik. Drejtoresha e Transportit dhe Lëvizshmërisë në Bashkinë e Tiranës Nereida Hoxha, ka bërë dhe një herë të ditur, se Bashkia e Tiranës nuk e njeh kartonin shoqërues të aboneve. Sipas znj. Hoxha, abonetë kanë të gjithë elementet e nevojshëm të sigurisë:
“Bashkia e Tiranës, përmes një shkrese u ka kërkuar të gjithë operatorëve të transportit publik, që të tregtojnë abonetë pa kartonin shoqërues. Kjo, mbështetur në faktin që abonetë e tregtuara nga Drejtoria e Tatim-Taksave kanë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë. Asnjë nga operatorët e liçencuar nga Bashkia e Tiranës nuk do të tregtojë më, abone të pajisura me karton shoqërues”.
Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit z. Geron Ibrahimi, ka bërë të ditur kjo Agjenci ka filluar vlerësimin e konkretizimit të propozimit të heqjes së licencës, për operatorin e linjës së Saukut i cili po vijon dezinformimin, lidhur me kartonin shoqërues të aboneve:
“Gjatë kësaj periudhe, që kur u bë paralajmërimi i parë, AMK ka ndërmarrë 23 masa për operatorin e Saukut, i cili ka krijuar dezinformim qytetar. I bëjmë thirrje edhe njëherë operatorit, që të mos vazhdojë të dezinformojë qytetarët, duke i shitur abonetë me karton, pasi është totalisht e papranueshme, ndërkohë që urdhri i Bashkisë është i saktë dhe i qartë, duke u shprehur se “nuk do të shoqërohen me karton”. Ne, si Agjenci e Mbrojtjes së Konsumatorit kemi filluar vlerësimin e konkretizimit të propozimit të heqjes së licencës për këtë operator, ndaj i bëjmë edhe njëherë thirrje, që të mos dezinformojë qytetarët dhe të rrisë cilësinë e shërbimit të transportit publik”.
Sa variojnë gjobat?
Gjobat kanë qenë nga 5 000 lekë (të reja), deri në 20 000 lekë (të reja). Gjoba, penaliteti i kontratës për këtë rast, i cili është përdorur në 20 herë është 20 000 lekë (të reja) por ajo që është më e rëndësishme, është se ne kemi filluar vlerësimin e performancës së këtij operatori, për ta konkretizuar më tej me propozimin për fillimin e procedurës së heqjes së licencës”.