Shoqata “Tirana” ka zhvilluar për të pesëmbëdhjetin vit, “Sofrën Tiranase”. I ftuar nderi në aktivitet ishte Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili për të dytin vit radhazi e mbështet “Sofrën Tiranase”. Kryetari i shoqatës “Tirana”, z. Arben Tafaj ka shprehur mirënjohjen ndaj Kreut të Bashkisë Lulzim Basha i cili këtë vit, për herë të parë përkujtoi në mënyrë madhështore ngritjen e flamurit në Tiranë, më 26 nëntor të vitit 1912 si dhe e përjetësoi këtë moment, në një mozaik të vendosur pikërisht në vendin ku u ngrit flamuri 100 vjet më parë.
Kryeministri Berisha e ka cilësuar Tiranën, si ëndrrën e kombit:
“Tirana me zemrën e saj të madhe, tiranasit dhe tiranaset me bujarinë, me mikpritjen, me qytetarinë e tyre kanë bërë të mundur që në këtë qytet të bekuar, të bëjnë të vërtetë ëndrrën e tyre, shqiptarët nga Shqipëri dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Tirana është ëndrra e kombit. Tirana është zemra e kombit, është mendja e tij, ndaj dhe unë përulem me nderimin më të madh para jush. Sot këtu nuk jemi në një takim partiak, por veçse kurrë nuk mund të le pa përmendur një moment të historisë sonë. Momentin e zgjedhjeve të ‘91 ku ju qytetarët autoktonë të Tiranës, përmbysët diktaturën e fundit në Evropë, në mbështetje të forcës politike. Ajo ishte një votë historike, votë për të cilën shqiptarët do t’ju jenë mirënjohës përjetë” - u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri garantoi se së bashku me Bashkinë do të bëjnë gjithçka, për ta bërë Tiranën, ashtu siç e dëshirojnë qytetarët e saj.
“Tirana ka qenë gjithnjë, qyteti më i bukur i tokave shqiptare, Tirana do të mbetet e tillë përjetë” – theksoi Kryeministri.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar Tiranën, qytetin magjik ku ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve nga shumë qytete të vendit janë bërë realitet:
“Unë jam Kryetar i Bashkisë së një qyteti “magjik”, të një qyteti ku njerëzit vijnë nga shumë qytete e rrethe të tjera dhe mbeten në “mjaltin” dhe magjinë e Tiranës. Vijnë dibranë e vijnë korçarë, vijnë vlonjatë e vijnë shkodranë, vijnë elbasanllinj, kavajas edhe durrsakë dhe pasi vijnë, të gjithë thonë “jemi tiranas”. Dhe tiranas janë, ata që zgjedhin këtë qytet të magjishëm, shpresën e kombit tonë, ëndrrën për një jetë më të mirë, por sonte mirënjohja nuk i takon as Bashkisë, as qeverisë, z.Kryeministër, as ndonjë faktori tjetër, por u takon atyre pa të cilët, të gjithë këta qytetarë nuk do të mund t’i thonin dot vetes “tiranas”, u takon “tiranasve, dem baba dem”, autoktonëve të këtij qyteti!”
Z. Basha shprehu angazhimin e tij, që së bashku me qeverinë qendrore e cila po mbështet projektet e Tiranës moderne dhe evropiane, ta kthejnë Tiranën në një prej qendrave më moderne në Ballkani.
“Ashtu siç na ka bashkuar e na bashkon ky qytet, në zemrën e tij, ashtu siç na ka shndërruar dhe vazhdon të na shndërrojë në “tiranas”, ashtu ne i kemi borxh këtij qyteti, ta çojmë më përpara, të “kënojnë prapë bylbylat”, lulet të jenë gjithandej, infrastruktura të përmirësohet, jeta e qytetarëve të ketë standarde moderne dhe evropiane. Unë besoj se punën e kemi filluar dhe meqë punën e kemi filluar për së mbari, dua të falenderoj për kontributin e veçantë, në shumë prej punëve kryesore në këtë qytet, qeverinë dhe Kryeministrin Sali Berisha, por puna sapo ka filluar. Të jeni të sigurtë, që shumë më shumë punë na pret, ndaj na duhet kontributi i gjithë qytetarëve të Tiranës, i gjithë bashkëpatriotëve dhe bashkëqytetarëve të mi, i “tironseve” dhe “tironsave” si dhe të gjithë të tjerëve që i thonë këtij qyteti “shtëpia ime”, që në vitet që vazhdojnë, punët e mira që kemi nisur t’i çojmë përpara dhe qytetin tonë ta kthejmë jo vetëm në qytetin e magjishëm të shqiptarëve kudo që ndodhen por edhe në qendrën moderne dhe evropiane, që ta ketë zili i gjithë Ballkani!” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Në këtë aktivitet, shoqata “Tirana” ka nderuar me titullin “Fisnikëria tiranase”, familjen e z. Mustafa Muharrem Mara (Drita), me motivacionin: “Për kontributin e dhënë, në shërbim të kombit dhe progresit, patriotit të shquar, intelektualit mendjendritur". Titulli iu dorëzua mbesës së Mustafa Muharrem Mara, nga Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.
Për kontributin e dhënë në integrimin kulturor të faktorit shqiptar në botë, Këshilli drejtues i shoqatës “Tirana” ka nderuar me çmimin “Tirana 2012”, z. Raif Hyseni. Ky çmim iu dorëzuar z. Hyseni, nga Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu.