English

Basha konsulton me qytetarët e Tiranës projekt-buxhetin e vitit 2013 dhe vizionin e bashkisë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka nisur dje konsultimet, për projekt-buxhetin e vitit 2013 dhe vizionin e Bashkisë për investimet dhe zhvillimin e Tiranës, deri në vitin 2015. Konsultimet për projekt-buxhetin afatmesëm 2013-2015 kanë nisur me njësinë bashkiake nr. 2, një nga zonat më problematike të Tiranës.

Kryebashkiaku Basha ka theksuar se qyteti i Tiranës planifikon të shpenzojë deri në vitin 2015, 240 milionë dollarë, ku për vitin 2013 parashikohet një buxhet prej 80 milionë dollarësh. Krahas investimeve në infrastrukturë, projekt -buxheti parashikon politika të veçanta për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e biznesit e rritjen e punësimit.

“Një qytet nuk investon vetëm për të mirëmbajtur, për të riparuar por edhe për të krijuar klimën më të mirë e më të favorshme për biznesin, ekonominë, në mënyrë që të japë sa më shumë mundësi për gjenerim të vendeve të punës, me paga të përshtatshme, që do të thotë gjenerim mirëqenieje. Në këtë optikë kemi parë edhe buxhetin 2013, tashmë të pajisur me përvojën e 2012 dhe me vizionin deri në 2015. Pikërisht, si pjesë e këtij vizioni, qyteti i Tiranës planifikon të shpenzojë deri në vitin 2015, 240 milionë dollarë, nga të cilat për vitin 2013, ka ndarë një buxhet prej 80 milionë dollarësh” – u shpreh z. Basha.

Në këtë buxhet do të përfshihet për herë të parë një grant i veçantë, për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja, nga të rinjtë nën 35 vjeç:

“Ky është një zë që ndahet pak nga tradita buxhetore, e mbështetjes vetëm për rrugë, kopshte, shkolla, ndriçim, gjelbërim dhe futet në një “domaine”, ku Bashkia e Tiranës është e vendosur të udhëheqë një praktikë për krijimin e vendeve të punës, për krijimin e bizneseve dhe mbështetjen e tyre, në mënyrë që të justifikojnë entuziazmin, kapacitetet profesionale dhe dëshirën e rinisë kryeqytetase, me fonde që në fund të fundit vijnë pikërisht nga taksapaguesit e Tiranës – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Këtij vizioni të ri të Bashkisë së Tiranës, i përputhet plotësisht dhe projekti i detajuar i bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës, i cili i është dorëzuar sot Kryebashkiakut Lulzim Basha.

“Mund t’ju them se mbeta tërësisht i befasuar nga cilësia dhe tiparet e veçantitë e projektit përfundimtar dhe mund t’ju them pa pikë frike se ky projekt pas zbatimit, siç duket se jemi në rrugë të mbarë, me fondet e dhëna qytetit të Tiranës nga shteti i Katarit, do të jetë pa dyshim projekti më i bukur, më funksional, më modernizues që mund të gjendet kudo në rajonin tonë, pse jo edhe një ndër më të mirët në Evropë. Kjo gjë më mbush me shpresë dhe besim, se jo vetëm jemi në rrugë të mbarë por që investimet që po fillojnë, dita ditës do të fillojnë t’i ndryshojnë faqen qytetit, jo thjesht në kuptimin e cilësisë së jetës së qytetarëve sot, por edhe në kuptimin e kthimit ne një destinacioni të kërkuar dhe të lakmuar për qytetarë të rinj, banorë të rinj, për biznese të reja, për investime të reja”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës ka prezantuar në mënyrë të detajuar, parashikimet e projekt-buxhetit afatmesëm 2013-2015:

Nga këto para që do të shpenzohen në qytet (2013-2015), për shërbime publike do të ndërhyhet në:

Rehabilitimin e rikonstruksion të 73.2 km rrugë, nëpër blloqe banimi;
Ndërtimin dhe përmirësimin e rreth 128,250 m2 sipërfaqe të gjelbërta dhe ambiente çlodhëse;
Ndërtimin e 10 këndeve të reja sportive;
Krijimin e rreth 10,000 m2 hapësira për parking automjetesh;
Ndërtimin i kolektorit të ujrave të zeza me gjatësi 3.5 km;
Mbjelljen e rreth 24 640 pemëve në lulishte dhe përgjatë rrugëve të reja;
Ndërtimin e rreth 65 km rrjete inxhinierike (kanalizime të ujërave të bardha e të zeza);
Sigurimin e një ndriçimi sipas standarteve bashkëkohore, për rreth 300 ha blloqe banimi;
Shtimin e sipërfaqeve të varrezave publike me 2 ha
Në programin e menaxhimit të rrugëve, ndërhyrjet konsistojnë në:

Rehabilitimin e 96 km (479,025 m2) të rrjetit rrugor urban kryesor, dytësor dhe tretësor;
Rikonstruksionin e 69 km (345,315m2) të rrjetit rrugor urban dytësor dhe tretësor
Ndërtimin dhe përmirësimin e rreth 162 km (323,470 m2) trotuare, në të gjithë rrjetin rrugor;
Sistemim - asfaltime të 79,000 m2 të rrjetit rrugor;
Ndërtimi i rreth 69 km rrjete inxhinierike në rrugët e reja (nëse në programin e mëparshëm bëhej fjalë për ndërtimin e kanalizimeve në rrugë ekzistuese);
Ndërtimi i rrjetit të ndriçimit rrugor sipas standarteve bashkëkohore, për rreth 100 km rrugë
Pjesë e këtyre investimeve do të vazhdojë të jetë:

Krijimi i korsive të dedikuara për transportin publik dhe biçikletat;
Përmirësimi i kapaciteteve të kryqëzimeve gjë që do të sjellë lehtësimin e menjëhershëm të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave nëpër nyjet e rrjetit rrugor dhe ulje të kostos së lëvizjes së tyre;
Rritja e sigurisë rrugore nëpërmjet sinjalistikës vertikale si dhe duke riorganizuar qarkullimin e trafikut dhe ndërtimit të mbikalimeve për këmbësorë, në pjesë të veçanta të qytetit
Programi i tretë buxhetor është arsimi parauniversitar dhe edukimi, ku do të ndërhyhet në në 32 objekte arsimore:

Ndёrtimi i 3 çerdheve tё reja;
Rikonstruksioni i 5 çerdheve ekzistuese;
Rikonstruksioni i 4 kopshteve;
Ndёrtimi i 5 kopshteve të rinj;
Rikonstruksioni i 14 shkollave 9- vjeçare;
Ndёrtimi i 3 shkollave tё reja 9- vjeçare;
Rikonstruksioni i 2 shkollave të mesme;
Ndёrtimi i 2 shkollave të mesme tё reja;
Rikonstruksion i shkollës speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara;
Ndёrtimi i 4 palestrave tё reja dhe rikonstruksioni 2420 m 2, palestra ekzistuese;
Shtimi i 34 laboratorёve tё rinj në sistemin shkollor të Tiranës;
Përmirësimi i ambienteve ndihmëse dhe rekreative në të gjitha objektet arsimore nëpërmjet ndërhyrjes në:

Sistemimi, rikonstruksioni apo riformulimi si dhe gjelbërimi i 52,347 m2, sipёrfaqe oborri tё shkollave të mesme dhe 9- vjeçare dhe 5,900 m2 sipёrfaqe tё territoreve tё kopshteve;
Instalimi i sistemit të ngrohjes në 11 objekte që do të rikonstruktohen dhe në 11 objekte të reja që do të ndërtohen, pra 22 objekte pajisen me sistem ngrohje;
Vënien në funksionim të plotë dhe efiçencë të sistemit të ngrohjes, në 92% të objekteve arsimore në Tiranë;
Do të ndalem në këtë pikë, pasi përmes këtij investimi të 2013, ne fshijmë thuajse tërësisht, me përjashtim të 8% të objekteve shkollore atë trashëgimi të hidhur që e kemi mbajtur në kurriz për 20 apo 50 vjet, të mungesës së ngrohjes adekuate për fëmijët të rinjtë dhe vogëlushët, në kopshte, çerdhe dhe shkollat e qytetit tonë. Veçanërisht për çerdhet, buxheti përmbyll ne masen 100% sistemin e ngrohjes, e cila bëhet me një system që do u kushtojë qytetarëve të Tiranës 1/3 e asaj çka i ka kushtuar deri tani, ngrohje e cila do të bëhet jo me karburant por me peleta që eshte miqesore ndaj ambientit, dhe që arrinë një ngrohje kalorike, më të njëjtën fuqi nxehjeje,dhe me një të tretën e çmimit që bëhet deri më sot. Kjo, edhe pa pasur mundësi abuzimi, pasi siç jemi në dijeni, nëse karburantin mund a përdorësh diku tjetër, që nga automjetet etj, peletën nuk mund ta fusësh dot në serbatorin e makinës.

Nga këto ndërhyrje, do të përfitojnë 14 mijë nxënës të shkollave 9- vjeçare; 2,200 nxёnёs te shkollave tё mesme; 1,250 fёmijё tё kopshteve. Nga rikostruksioni i çerdheve ekzistuese përfitojnë rreth 230 fëmijë dhe shtohet kapaciteti me 900 fëmijë më shumë në qytetin e Tiranës, çka kënaq 1/3 e kërkesës aktuale për vende shtesë në çerdhe, vende shtesë që për momentin, qyteti nuk i ka.

Një tjetër veçori për buxhetin e vitit që vjen ka të bëjë me një politikë stimuluese ndaj biznesit. Dy janë programet e tjera që i bashkangjiten buxhetit, strehimi, planifikimi i territorit, për të cilin kemi folur gjerësisht gjatë prezantimit të planit, ku parashikohen edhe shpronësimet dhe sistemimet e varrezave publike të qytetit dhe evidentimi i një hapësire të re për varrezat publike. Programi i dytë është zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

Politikat stimuluese do të konsistojë në krijimin e një fondi të veçantë të Bashkisë, të menaxhuar sipas praktikave më të mira evropiane dhe botërore për të stimuluar kredi-dhënien për biznese të reja, të hapura nga qytetarë të Tiranës, nën moshën 35 vjeç, pra për të stimuluar të rinjtë e këtij qyteti për t’iu futur fushës së biznesit të vogël apo të mesëm. Është një rol që normalisht i takon bankave, por edhe Bashkia do të luajë rolin e vet. Besimi që ne kemi si qytetarë, si prindër, si bashkëqytetarë dhe si bashki tek rinia e qytetit justifikon një ndërhyrje të tillë, veçanërisht në faqet e një ngurrimi (në pikëpamjen time të pajustifikuar) të bankave që janë plot me likuiditete financiare, për të mos zvarritur procedura kreditimi, për të rinjtë që dëshirojnë të hapin biznese në qytetet. Bizneset mund të jenë të llojeve nga më të ndryshme, që nga ato tregtare, tek ato krijuese, prodhuese, të fushës së teknologjisë së informacionit, etj.

Për sa kohë që bordi i instaluar dhe investuar për këtë qëllim nga Bashkia, me ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj do t’i gjykojë ato si projekte serioze, do të kenë garancinë dhe mbështetjen financiare të Bashkisë së Tiranës dhe bashkë me to shpresoj edhe mbështetjen financiare drejtpërdrejt nga qeveria shqiptare dhe nga fondacione apo fonde të tjera publike apo jo publike që operojnë në Tiranë dhe në Shqipëri.

Ky është një zë që ndahet pak nga tradita buxhetore, e mbështetjes vetëm për rrugë, kopshte, shkolla, ndriçim, gjelbërim dhe futet në një “domaine”, ku Bashkia e Tiranës është e vendosur të udhëheqë një praktikë për krijimin e vendeve të punës, për krijimin e bizneseve dhe mbështetjen e tyre, në mënyrë që të justifikojnë entuziazmin, kapacitetet profesionale dhe dëshirën e rinisë kryeqytetase, me fonde që në fund të fundit vijnë pikërisht nga taksapaguesit e Tiranës. Është hera e parë që një projekt i tillë do t’i shkojë Këshillit Bashkiak dhe Këshilli Bashkiak duke i dhënë vulën e aprovimit, faktikisht ka aprovuar për herë të parë në qytet ndoshta në vend, ndoshta edhe më gjerë vendimin që paratë e taksapaguesve, paratë tuaja , paratë tona të përdoren edhe për një zë që s’ka lidhje në dukje, drejtpërdrejt me problemet komunalepor që ka lidhje vitale me mirëqenien e qytetit, stimulimin e bijve dhe bijave më të mira të këtij qyteti, për të nisur dhe operuar me sukses bizneset e tyre në qytetin tonë.

Konkretisht për njësinë bashkiake nr. 2, parashikohen këto investime:

Shërbimet publike vendore të reja:

Rikualifikime urbane të bllokut 40, 41 dhe 42.
Rikualifikimi urban të bllokut 64, 66 dhe 69.
Rikualifikimin urban të bllokut që kualifikohet nga rruga e Elbasanit, “Stavri Vinjali”, “Pjetër Budi” dhe “Ali Visha”, me të gjithë rrugët dhe komponentët e tjerë publikë që ndodhen brenda lulishte, hapësira për qytetarë të moshuar , për të rinj, rehabilitim fasadash dhe gjithçka tjetër , ndriçim dhe natyrisht punime të infrastrukturës ujësjellës kanalizime etj.
Menaxhimi i rrugëve dhe infrastrukturës:

Rikonstruksionin e rrugës së bllokut që kufizohet me rrugët “Qemal Stafa”, rruga “Bardhyl” rruga “Hoxha Tahsim” dhe rruga “Shenasi Dishnica”.
Ndërtim dhe rikonstruksion të bllokut të rrugëve që kufizohen nga rrugët “Fuat Toptani”, rruga e Elbasanit, Varrezat e Dëshmorëve.
Rikonstruksioni i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rruga “Herman Majner”, “Selim Braka”, Unaza e Re. Rikonstruksion të rrugës “Mihal Grameno” dhe degëzimit të rrugës Budi , Depo e Ujit faza e dytë,
Ndërtimin e rrugës “Gani Shifniu”
Shtrim e asfaltim të një liste të rrugëve të amortizuara një njësisë bashkiake nr. 2 sipas listës së sjellë nga kryetari i njësisë bashkiake.
Arsimi para - universitar dhe edukimi përfaqësohet nga këto objekte:

Ndërtimi i shkollës së re të mesme në Sauk pranë ambienteve të Policisë Ushtarake,
Rehabilitimi i një sistemi të ngrohjes në shkollën 9 vjeçare “Mihal Grameno” , rehabilitimi i pjesshëm i një sistemi të plotë të ngrohjes së shkollës 9 vjeçare, “Mustafa Geblleshi”,
Ndërtimi i shkollës së re 9 vjeçare tek Depo e Ujit,
Rehabilitimi i shkollës 9 vjeçare “Fan Noli”,
Rikonstruksion dhe instalim të sistemit të ngrohjes në shkollën e mesme “Ismail Qemali”
Rikonstruksionin e plotë të çerdhes nr 54.
Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 2 Elez Gjoza bëri të ditur se fondet që i janë akorduar kësaj njësie në investime, janë më të mëdha se të 13 vite të marra së bashku:

“23 milionë investime janë në minibashkinë nr. 2 , pra është hera e parë, pasi kjo shifër nuk është dhënë për 13 vjet rresht. Është hera e parë që mbas 20 vjetësh bëhet një shkollë e mesme në Sauk. Është hera e parë që ndërhyhet në blloqe, ndërhyrje kapilare në thellësi. Të gjithë investimet që premtoi Lulzim Basha në vitin 2012 u bënë realitet, duke filluar që nga bulevardi i njësisë nr. 2, rruga “Petro Nini Luarasi”, që nis këtë javë. Jemi të gjithë dëshmitarë që vazhdon ndërtimi i rrugës “Gramoz Pashko”, jemi të gjithë dëshmitarë që vazhdon ndërtimi i rrugës “Bajram Allaraj”, etj, etj- u shpreh z. Gjoza.

Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar bashkëpunimin me njësitë vendore dhe qeverinë qendrore, si çelësin e suksesit të përmirësimit të cilësisë së jetës dhe shërbimit ndaj qytetarëve:

“Sigurisht, fillimi i punës ka kërkuar parapërgatitje, projekte, por tashmë puna ka nisur dhe fronti i punëve do të vijë duke u zgjeruar sepse të tilla janë nevojat e qytetit dhe qytetarëve të Tiranës. Janë nevoja të lëna pas dore prej kohësh, prej mungesës së bashkëpunimit. Sot, e kemi këtë bashkëpunim, bashki njësi bashkiake dhe bashki-qeveri dhe urojmë që ky bashkëpunim të jetë e të mbetet, me qëllim që ne të përparojmë me nevojat e qytetarëve të Tiranës, pa dallim se ku jetojnë, se çfarë mjetesh financiare posedojnë, se çfarë bindjesh politike kanë. Mandati, i Bashkisë së Tiranës, i imi si Kryebashkiak dhe kryetarëve të njësive bashkiake është t’u shërbejmë qytetarëve, jo për askujt për arsye të bindjeve apo axhendës politike por vetëm sepse janë qytetarë të Tiranës” - theksoi Kreu i Bashkisë Lulzim Basha.

KOMENTE