Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar të shkëlqyer punën 100 vjeçare të Shoqatës së Miqësisë Angli-Shqipëri, të nisur nga Sekretarja e parë Edith Durham, ndërsa siguroi Kryetarin aktual të kësaj shoqate Stephan Nesh se kjo Shoqatë do të ketë në vazhdimësi mbështjen e plotë të qeverisë shqiptare.
Kryeministri Sali Berisha priti dje Kryetarin e Shoqatës së Miqësisë Angli-Shqipëri Stephan Nesh.
Pasi Stephan Nesh, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Angli-Shqipëri, e falenderoi për mikpritjen Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe e vuri në dijeni për morinë e aktiviteteve të zhvilluara në Angli, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ku veçoi ngritjen për herë të parë të bustit të Heroit legjendar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Londër, meshën në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, një numër të madh aktivitetesh anekënd Britanisë së Madhe në këtë kuadër, si dhe planet për të ardhmen, për të bërë të njohur për publikun të shkuarën dhe të tashmen dinjitoze të Shqipërisë.
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi të shkëlqyer punën 100 vjeçare të Shoqatës së Miqësisë Angli-Shqipëri, të nisur nga Sekretarja e parë Edith Durham, ndërsa siguroi Kryetarin aktual të kësaj shoqate Stephan Nesh se kjo Shoqatë do të ketë në vazhdimësi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare,veçanërisht në promovimin që ajo po u bën mundësive për investime të suksesshme të kapitalit anglez në Shqipëri, si dhe të lidhjeve historike shumë miqësore mes dy vendeve.
Stephan Nesh, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Angli-Shqipëri, falenderoi Zotin Berisha për mikpritjen, ndërsa premtoi se Shoqata që ai drejton do jetë ura më e mirë për bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.