Zv. Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Edmond Haxhinasto, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror nga kompania e njohur Quality Austria.
Haxhinasto vlerësoi se ky certifikim i ANTA është një zhvillim historik për aviacionin në Shqipëri. Zv. Kryeministri tha se certifikimi i ANTA-s bën që ajo të jetë pararendësja e zbatimit të standardeve ndërkombëtare në fushën e transportit ajror.
ANTA, theksoi ministri Haxhinasto është modeli më i mirë i një sipërmarrjeje shtetërore.
Në përfundim të fjalës së tij, z. Haxhinasto shprehu besimin se ANTA do t’i garantojë qytetarëve shqiptarë udhëtime sa më të sigurta dhe cilësore.
Në fjalën e tij ministri theksoi: "ANTA përbën modelin më të mirë të një sipërmarjeje shtetërore, që realizon shërbime me standarde dhe veçanërisht me siguri dhe cilësi të lartë, e kjo na bën ne të ndihemi krenarë për arritjet e kësaj shoqërie. Certifikimi, sipas këtyre standardeve ndërkombëtare, e vendos ANTA si një nga shërbimet në pararojë të integrimit në Evropë. Me këtë rast dëshiroj të përgëzoj Drejtorin Sulaj dhe gjithë stafin e ANTA-s në shërbim të këtij Zhvillimi Cilësor. "