Partia Socialiste është e vendosur që me ardhjen në pushtet të heqë taksën e biznesit të vogël, por Kryetari Edi Rama ka ripërsëritur apelin se qeveria duhet ta heqë këtë taksë që tani, duke e parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm, që është duke u diskutuar aktualisht në Parlament. Deklaratat e kreut të PS-së janë bërë gjatë takimeve që ai ka zhvilluar me tregtarë të vegjël në zonën e Njësisë Bashkiake Nr.1 në kryeqytet, i shoqëruar nga Sekretari për Programin në PS, Ilir Beqja dhe kryetarja e kësaj minibashkie Lindita Nikolla.
Në një dyqan ushqimor, ku mbizotëronte errësira nga mungesa e energjisë elektrike, Kryetari i PS është njohur me gjendjen shumë të vështirë që po kalojnë jo vetëm bizneset e vogla, por edhe një pjesë e mirë e popullsisë që furnizohen në këto dyqane.
“Jemi pa drita. Kanë ikur që mbrëmë nga ora 8 e darkës dhe ç’është më e keqja nuk kemi ku të ankohemi, nuk del njeri në telefon. Nuk kemi lënë vend pa shkuar. Malli po na prishet nëpër frigoriferë. Puna është zero. Puna është, ja shikoje dhe vetë, lista sa të duash. Kjo është lagje njerëzisht të varfër shumë, s’kanë as punë dhe asgjë. Vijnë marrin mall njerëzit, sjellin një pjesë, sjell 50, sjell 20 dhe në më shpresën se do t’i sjellë të gjitha prapë, e kështu kemi hyrë thellë e më thellë në lista. Janë disa familje me nga 10 vetë që vijnë dhe thonë duam 500 lekë groshë. 500 lekë si do t’i bëjë. Këto do t’i ziejë 2 – 3 herë”, ka treguar i zot i dyqanit.
Ndërkohë që njëri prej blerësve që ndodhej në atë moment në dyqan ka ndërhyrë duke u shprehur: “Varfëri e madhe. Madje jo varfëri, po skëterrë fare. Vijmë vërdallë herë me drita e herë pa drita. Një varfëri e tejskajshme. Fëmija do të hajë, ne nuk ia plotësojmë dot konditat. Diskutojmë gjënë më të thjeshtë, të paktën një copë bukë me djathë kur i thonë. As atë nuk ia sigurojmë”.
Lideri i opozitës Edi Rama nga ana e tij ka theksuar se taksa e biznesit të vogël duhet hequr menjëherë: “Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Ne mendojmë që duhet hequr urgjentisht. Kemi bërë thirrje disa herë dhe do vazhdojmë të bëjmë thirrje që me buxhetin e vitit të ardhshëm, që po kalon në parlament qeveria ta heqë. Duhet hequr menjëherë edhe për të lehtësuar barrën për festat që janë përpara, sepse gjendja është skandaloze dhe realisht rrëqethëse për një pjesë të madhe familjesh edhe në qytet, lerë më pastaj në fshat. Por, akoma më e qartë është tek biznesi i vogël, tek dyqanet e ushqimeve që po e vuajnë shumë, shumë, shumë barrën e borxheve dhe rënia e fuqisë blerëse po i mbyt. Ju e dini vetë këtë gjë. Kështu që ne mendojmë që duhet hequr urgjentisht taksa e biznesit të vogël. Është një angazhim i yni, por kjo nuk ka lidhje me politikën. Kjo ka lidhje me bukën e gojës dhe me mbijetesën e një pjese shumë të madhe të biznesit të vogël, që praktikisht po asfiksohet dhe për më tepër pastaj që në Tiranë edhe në disa zona të tjera janë rritur ndjeshëm taksat”.