Kryeministri Berisha ishte i pranishëm dje pasdite në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në nderim të politikanit, shkrimtarit të shquar dhe themeluesit të Partisë Republikane të Shqipërisë Sabri Godo, i cili sot përkujtohet në 1 - vjetorin e ndarjes nga jeta.
Të pranishëm në këtë aktivitet, në mjediset e Teatrit Kombëtar, ishin familjarë dhe të afërm të Sabri Godos, ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, ish Presidentët e vendit, z. Rexhep Mejdani dhe z. Alfred Mojsiu dhe shumë personalitete e të ftuar të tjerë.
Kryeministri, pasi ndoqi një dokumentar të përmbledhur mbi jetën, aktivitetin dhe kontributin e z. Godo në zhvillimet politike të vendit, por edhe si intelektual dhe njeri i letrave shqipe, mbajti një fjalë në të cilën nderoi dhe vlerësoi figurën shumë dimensionale të Sabri Godos. Kryeministri shprehu bindjen se, me kohën, figura dhe personaliteti i tij do të marrin përmasat që ai kishte me të vërtetë, përmasa më të mëdha dhe ai do të shndrisë gjithnjë e më shumë në botën shqiptare, si një nga personalitetet dhe figurat më poliedrike në kohën që jetoi.
Sabri Godo, theksoi Kryeministri, jetoi një jetë si një ikonë simbol i mençurisë dhe urtësisë. Formimi i tij politik, urtësia e tij, vizioni i tij, ishin një pasuri e madhe për politikën jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni, në të gjitha trojet ku jetonin e luftonin shqiptarët.