English

Nishani: bashkëpunimi ekonomik e tregtar ndërmjet katër vendeve tona një domosdoshmëri

Falenderoj organizatorët për këtë Samit të shkëlqyer dhe mikpritjen e ofruar në qytetin e bukur të Budvës!

Kështu e ka nisur deklaratën e tij presidenti shqiptar Bujar Nishani në Konferencën për shtyp pas Takimit IV Rajonal të Presidentëve në Mal të Zi.

Vlerësoj të katër takimet si shprehje e miqësisë së ngushtë midis katër vendeve tona dhe kontribut në formimin e marrëdhënieve të suksesshme dypalëshe dhe rajonale.

Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë rritjes dhe forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e sidomos me vendet fqinje të saj si: Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Ne mbetemi të angazhuar për intensifikimin në vazhdimësi të dialogut politik midis vendeve tona, nëpërmjet vijueshmërisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë, siç është dhe ky takim i sotëm.

Theksojmë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar ndërmjet katër vendeve tona, ku përparësi përbëjnë ndërtimi i një infrastrukture moderne, realizimi i projekteve të përbashkëta, krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, rritja e shkëmbimeve tregtare, intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit e shkencës, infrastrukturës, etj.

Çdo valë rritjeje apo krize ekonomike në kontinent natyrshëm reflektohet edhe në ekonomitë e vendeve tona.

Gjykojmë të domosdoshëm zgjerimin akoma më të madh të hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane, një prani më të madhe të programeve ekonomike të BE-së dhe shteteve kryesore përbërëse të saj, si edhe politika evropiane që asistojnë me teknologji e programe zhvillimi projektet e mëdha të infrastrukturës, energjetikës, informatikës, etj.

Në kuadër të interesit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përparësi do të përbënte krijimi i një sistemi të unifikuar energjetik rajonal. Energjia përbën sot faktor të rëndësishëm zhvillimi, në nivel kombëtar, rajonal e global.

Nënvizojmë rëndësinë për një promovim më të mirë të mundësive tona turistike, që do të bëjë të mundur shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve turistike jo vetëm nga qytetarët e vendeve tona, por edhe nga ata të vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës.

Faktori shqiptar dhe minoritetet përkatëse të secilit nga të katër vendet tona i konsiderojmë ura të miqësisë. Respektimi i plotë i të drejtave të tyre, arrihet nga demokratizimi dhe garanton paqen dhe stabilitetin ne rajonin tone.

Përkushtimi i vendeve tona ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike dhe evropiane përbën platformën e sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis vendeve tona. Ne besojmë se integrimi i plotë euroatlantik është në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe Bashkimit Evropian.

Vlerësojmë se është e domosdoshme mbështetja e Kosovës në nismat dhe projektet rajonale dhe më gjerë; si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Ju faleminderit!

* * *

Gazetari: Herën e kaluar kanë ndodhur disa incidente në Shqipëri me flamurin maqedonas. Do të doja t’ju pyes, në qoftë se ju keni diskutuar me kolegët tuaj, se çfarë veprimesh do të ndërmerren për këtë çështje. Gjithashtu respektojmë dhe ju urojmë 100-vjetorin, por gjatë këtij festimi ishin disa deklarata, siç ishte ajo e Kryeministrit Sali Berisha për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një shtet, që në disa vende fqinje ka ngritur shqetësim. Cili do të ishte komenti juaj për deklaratën e Berishës dhe çështjen e zgjidhjes së kësaj çështjeje, ku të gjithë flamujt e Maqedonisë janë djegur në Shqipëri?

Presidenti Nishani: Falënderoj për urimin për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të garantoj që marrëdhëniet e Shqipërisë me Maqedoninë janë marrëdhënie të shkëlqyera, marrëdhënie të një fqinjësie të mirë. Incidente nga individë të izoluar dhe provokativë natyrisht janë objekt i drejtësisë, por ato asesi nuk mundet që të cënojnë këto marrëdhënie të shkëlqyera që ne kemi midis dy vendeve tona. Me Presidentin Ivanov diskutuam në frymën më të mirë të miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në kuadrin bilateral dhe shumëplanësh. Shqipëria ka luajtur një rol dhe do të vazhdojë të luajë një rol të pandryshuar në interes të stabilitetit, të paqes dhe të zhvillimit rajonal. Marrëdhëniet me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë marrëdhënie shumë të mira. Shqipëria nuk ka asnjë problem të hapur me asnjë nga vendet e rajonit, veçanërisht marrëdhëniet tona me vendet fqinje, si Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, janë të një prioriteti të veçantë. Shqipëria dhe shqiptarët kurrë nuk kanë pasur interesa për të kërcënuar integritetin e vendeve fqinje. Shqipëria dhe shqiptarët janë të përcaktuar ashtu si të gjitha vendet e tjera në rrugën e integrimit evropian. Ne besojmë plotësisht që si për çdo vend tjetër të rajonit, por dhe të Ballkanit Perëndimor, edhe për Shqipërinë, dhe për të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen dhe jetojnë në trevat e tyre, rruga e bashkimit në Bashkimin Evropian është rruga më e mirë për të gjitha kombet, për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gazetari: Nga biseda e Presidentit të Malit të Zi për bashkëpunim më të mirë në fushën e energjetikës, na intereson të dimë, Shqipëria a ka akoma qëndrimin për ndërtimin e impiantit bërthamor, meqë ishte aktuale kjo bisedë para pak kohësh?

Presidenti Nishani: Për Shqipërinë nuk ka pasur asnjëherë një projekt konkret të impianteve nukleare. Për ne prioritet në Shqipëri mbetet energjia e rinovueshme, energjia e pastër, e mbështetur kryesisht në energjinë e prodhuar nga rezervat ujore. Mund t’ju informoj se Shqipëria konsideron që ka resurse shumë të rëndësishme ujore, të cilat duhen shfrytëzuar për ndërtimin e hidrocentraleve dhe ky do të jetë prioriteti i Shqipërisë. Mund t’ju informoj se gjatë dy viteve të kaluara janë miratuar rreth 400 projekte të hidrocentraleve, pra të prodhimit të energjisë nga uji në Shqipëri, por gjithsesi ne besojmë që ky dimension i prodhimit të energjisë duhet të shtrihet edhe në bashkëpunimin rajonal, pasi konsolidimi i tregut të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë dhe në nivel rajonal, do të rrisë jo vetëm rëndësinë e të gjitha vendeve të rajonit, por do të rrisë më tepër dhe aspektin e sigurisë, dhe veçanërisht në atë ekonomik, për të gjitha vendet e rajonit, padyshim edhe për Shqipërinë.

KOMENTE