English

Shqipëria, e 113-ta në tabelën botërore të korrupsionit. Dhurata më e mirë për 100 vjetorin, shprehet Rama

“Kjo është dhurata më kuptimplotë që qeveria jonë u bën shqiptarëve kudo ku ndodhen në këtë 100 vjetor. Në 100 vjet shtet sot shqiptarët kanë zyrtarisht qeverinë e tyre më të korruptuar dhe zyrtarisht Shqipëria e 100 vjetorit ka rënë në zonën më të errët të batakut të korrupsionit botëror”.

Kështu e ka komentuar kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama raportin e fundit të Transparencës Ndërkombëtare (Transparency International), e cila e ka renditur Shqipërinë në vendin e 113 në tabelën botërore të korrupsionit. Sipas kryesocialistit Rama në vetëm një vit Shqipëria ka rënë falë qeverisë dhe keqqeverisjes 15 vende më poshtë, duke u futur mes Etiopisë e Nigerisë, që janë simbole të korrupsionit botëror.

Duke e lidhur këtë raport, i cili pasqyron nivelin në rritje të korrupsionit në vend me aspiratat e Shqipërisë për t’ju bashkuar familjes së madhe evropiane, kreu i PS-së është shprehur: “Degdisja e vendit tonë matanë kufijve të kontinentit europian për nga niveli i korrupsionit dhe përtej çdo shifre dhe indikatori të pranueshëm të korrupsionit në këtë kontinent, faktikisht e dërrmon edhe vetë kandidaturën e Shqipërisë për Bashkimin Europian. Fatkeqësisht të gjitha ato vende anëtare që kanë shkuar shumë përtej ‘tre ligjeve’ të famshme, duke nënvizuar se moszbatimi i ligjeve, korrupsioni dhe krimi organizuar janë në fakt tre pengesat reale për akordimin e statusit, sot kanë një provë dërrmuese në dorë”.

Për kreun e Partisë Socialiste, e vetmja rrugë për të frenuar këtë rënie të turpshme dhe këtë rënim të vazhdueshëm të Shqipërisë është ndryshimi i vitit 2013. “Shqipëria nuk mund të shkojë më poshtë. Shqipëria duhet të ringrihet dhe duhet të rilindë. Amaneti i themeluesve të shtetit shqiptar nuk mund të përdhoset ende më shumë me baltën e korrupsionit të kudondodhur qeveritar. Era e të cilit ka marrë tanimë mbarë botën. Ne duhet të mbledhim të gjitha forcat për të reaguar dhe për ta nxjerrë Shqipërinë dhe vetveten si popull nga ky batak i turpshëm dhe turpërues. Turpin e sotëm duhet ta mbajnë ata që e kanë. Prandaj gjithë të tjerët duhet të reagojnë dhe ta ndryshojnë Shqipërinë”, ka theksuar Edi Rama, duke siguruar se ai dhe Partia Socialiste do të bëjnë gjithçka kanë në dorë që 2013 të jetë viti i ndryshimit dhe Shqipëria të ringrihet e të rilindë.

KOMENTE