English

Martesa mes homoseksualëve do t’u mësohet fëmijëve në moshë fare të re, që në kopësht

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, njofton Zëri i Amerikës, do të diskutojë nëse do të marrë në shqyrtim apo jo një çështje që ka të bëjë me ligjet që përcaktojnë martesën si një lidhje vetëm mes një burri dhe një gruaje. Votuesit në disa shtete miratuan muajin e kaluar nisma mbi martesën mes homoseksualëve, madje grupe të të drejtave të homoseksualëve po bëjnë të gjitha përpjekjet për ligjërimin e këtyre martesave në mbarë vendin si dhe për eliminimin e ligjeve diskriminuese ndaj homoseksualëve.

George Ramirez dhe partneri i tij German Roa kanë jetuar së bashku për 16 vjet. Tani ata lejohen të martohen në shtetin e Merilandit, pasi votuesit në këtë shtet mbështetën ligjin për martesën mes homoseksualëve.

"Ne duam të na krijohet mundësia për ta shfrytëzuar këtë martesë për të gjitha qëllimet: për të bërë një deklaratë publike, për të drejtat ligjore dhe për ta konsideruar atë si çdo njeri tjetër".

Përkrahësit e të drejtave të homoseksualëve siguruan fitore në 4 shtete në zgjedhjet e 6 nëntorit. Tani ka filluar një fushatë që edhe shtete të tjera të lejojnë martesën mes homoseksualëve.

Grupe për të drejtat e homoseksualëve në Minesota festuan kur votuesit hodhën poshtë një projekt-ligj për përcaktimin e martesës vetëm mes "një burri dhe një gruaje". Ky shtet ishte i pari në gjithë Amerikën që hodhi poshtë një amendament mbi martesën, i cili ishte ruajtur me kushtetutë në 30 shtete të tjera.

Tani po shtohet mbështetja që legjislatura shtetërore të ligjërojë martesën mes homoseksualëve.

"Ju do të shihni se homoseksualët do ta përqëndrojnë vemendjen tek legjislatura shtetërore dhe do të kërkojnë që projekt-ligji për barazinë martesore të jetë në krye të rendit të ditës".

Deri muajin e kaluar, amerikanët nuk kishin miratuar asnjëherë martesën mes homoseksualëve me anë të votës popullore.
Derek McCoy është president i Aleancës Familjare të Merilandit, e cila kundërshton martesën mes homoseksualëve. Ai thotë se parashikon se do të ngrihen padi kundër ligjit të ri për barazi martesore.

"Ne kemi ndryshuar tani përkufizmin e martesës në shtetin tonë. Martesa mes homoseksualëve do t’u mësohet fëmijëve në moshë fare të re, që në kopësht e në klasë të parë. Në klasën e dytë fëmijët tuaj jo vetëm që do të mësojnë rreth kësaj çështjeje, por do të edukohen dhe indoktrinohen se kjo është një gjë e duhur për t’u bërë".


Por grupet për të drejtat e homoseksualëve synojnë të arrijnë edhe më shumë të drejta. Fushata për të drejtat e njeriut, organizata më e madhe në vend për të drejtat civile të homoseksualëve, filloi një reklamë televizive në gjithë vendin për fitoret e saj, madje bëri thirrje për ligje të tjera mbi të drejtat civile.

"Në shumë aspekte të jetës sonë, martesa nuk është çështje kryesore për komunitetet tona. Homoseksualët nuk gëzojnë të drejta bazë si mbrojtje punësimi ose strehimi. Aktualisht në 29 shtete të Amerikës është plotësisht e ligjshme që një person të humbasë vendin e punës për shkak të orientimit seksual".
William Galston është ekspert i politikave shoqërore në Institutin Brookings në Uashington.

"Nuk kam parë asnjëherë që ndjenjat të ndryshojnë kaq shpejt për çështje shoqërore kaq sensitive. Është i qartë drejtimi që po merr kjo çështje dhe unë do të parashikoja se presionet e ushtruara do të pasqyrohen në nisma të nivelit shtetror për mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve, duke kaluar me ngadalë edhe në nivelin e qeverisë federale".

Përkrahësit e të drejtave të homoseksualëve thonë se shpresojnë që prirjet e tanishme do të frymëzojnë fushata të ngjashme për t’i dhënë fund diskriminimit.

KOMENTE