Kryeministri Berisha, së bashku me zonjën Fatmira Hajdari dhe anëtarë të tjerë të familjes Hajdari, përuroi pasditen e 8 dhjetorit, shtatoren e Azem Hajdarit, e ngritur në sheshin “Demokracia”, në Qytetin Studenti, në nder të kontributit të tij për përmbysjen e diktaturës komuniste dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Kryeministri Berisha u shpreh se shtatorja e Azem Hajdarit më mirë se në çdo vend tjetër qëndron në këtë shesh, prej nga ai (Azemi) nisi një nga betejat më të mëdha, më të vështira dhe më të guximshme në historinë e lirisë së shqiptarëve. “Ne inaugurojmë këtu shtatoren e liderit të dhjetorit, shtatoren e studentit, e të riut, i cili në historinë tonë kombëtare do të mbetet tribuni që me guximin, kurajën, vendosmërinë dhe vizionin e tij bëri më shumë për liritë tona, për liritë e shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri.
Duke shprehur mirënjohje edhe për të gjithë studentët e dhjetorit ’90, Kryeministri Berisha tha:
“Sot në këtë ditë, e cila është dhe ditëlindja e dytë e të gjithë qytetarëve shqiptarë që i besojnë lirisë dhe vlerave të saj, ditë në të cilën 22 vjet më parë studentët e Universitetit të Tiranës të udhëhequr nga tribuni i lirisë, studenti Azem Hajdari, nisën protestën e tyre të madhe, ne inaugurojmë këtu shtatoren e liderit të dhjetorit, shtatoren e studentit, të riut, i cili në historinë tonë kombëtare do të mbetet tribuni që me guximin, kurajën, vendosmërinë dhe vizionin e tij bëri më shumë për liritë tona, për liritë e shqiptarëve.