Bashkimi Evropian u vlerësu me Çmimin NOBEL të PAQES dhe dje në Oslo të Norvegjisë u mbajt ceremonia e dorëzimit të këtij çmimi.
Çmimi dorëzohet për nxitjen e paqes dhe të të drejtave të njeriut në Evropë pas shkatërrimeve që solli Lufta e Dytë Botërore. Komiteti Nobel i bëri thirrje Bashkimit ta përdorë unitetin mes anëtarëve të tij për të zgjidhur krizën ekonomike të rajonit.
Rreth 20 udhëheqës të qeverive evropiane, përfshirë Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Presidentin francez, François Hollande dhe Zëvendëskryeministrin britanik, Nick Clegg, morën pjesë në ceremoninë e zhvilluar në kryeqytetin norvegjez.
Në Bashkinë e Oslos, Kryetari i komitetit të Çmimit, Thorbjoern Jagland u dorëzoi diplomat dhe medaljet Nobel Presidentit të Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso, Presidentit të Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy dhe Presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
Zoti Jagland tha përpara disa qindra pjesëmarrësve se Bashkimi Evropian kishte luajtur një rol të shquar për ta kthyer Evropën nga një kontinent të luftës në një kontinent të paqes.
"Ripajtimi mes Gjermanisë dhe Francës është ndoshta shembulli më dramatik në histori për të treguar se lufta dhe konflikti mund të kthehen shumë shpejt në paqe dhe pajtim,” tha zoti Jagland.
Çmimi i këtij viti vjen në sfondin e protestave ndërkohë që kriza e borxhit të Eurozonës ka krijuar tensione dhe ka çuar në rritje të papunësisë, gjë që ka kërkuar masa të rrepta shtrënguese.
Herman Van Rompuy, President i Këshillit Evropian, tha se Bashkimi Evropian e pranonte çmimin me mirënjohje:
"Në një kohë pasigurie, kjo ditë u kujton njerëzve kudo në Evropë dhe në botë qëllimin themelor të Bashkimit Evropian: të çojë përpara vëllazërimin mes vendeve evropiane, tani dhe në të ardhmen.”
Por jo të gjithë e miratuan vendimin që çmimi t’i jepej Bashkimit Evropian.
Tre laureatë Nobel, kryepeshkopi jugafrikan Desmond Tutu, Mairead Maguire e Irlandës së Veriut dhe Adolfo Perez Esquivel nga Argjentina – kanë kërkuar që shuma me të cilën shoqërohet çmimi, 1.2 million dollarë, këtë vit të mos paguhet.