English

Fillon menaxhimi i përbashkët i kufirit Kosovë-Serbi (VIDEO)

Pas rënies dakord të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit, dje ka filluar zbatimi praktik midis Kosovës dhe Serbisë i kësaj marrëveshje.
Në Merdarë rreth 45 kilometra në veri të Prishtinës dhe në Jarinë, në veriun e banuar më shumicë serbe, pjesëtarë të policisë serbe, asaj të Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian, të shoqëruar edhe nga doganierët filluan dje pa ndonjë problem zbatimin e marrëveshjes.

Të premten ata hoqën dorë nga protestat, pasi që siç thanë, kanë marrë garanci nga qeveria e Serbisë se në vendkalimet kufitare në veri, nuk do të paguhet dogana për mallrat e destinuara për veriun e Kosovës dhe se do të vazhdojë përdorimi i dokumenteve të lëshuara nga Republika e Serbisë.

Shefi i ekipit negociator të Beogradit në bisedimet teknike me Prishtinën, Dejan Paviçeviç, tha se regjimi i kalimit te kufirit mbetet i njëjtë sikurse edhe më parë.

“Këtu janë pjesëtarët e EULEX-it dhe pjesëtarët e policisë sonë. Nuk ka kurrfarë simbolesh. Procedura mbetet e njëjtë, siç ka qenë, ashtu siç është përcaktuar me të gjitha marrëveshjet nga Brukseli, si dhe garancive, të cilat Qeveria e Serbisë ua ka dhënë qytetarëve tanë të territorit të Kosovës”, tha ai.
Në Merdarë, Ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, tha se menaxhimi i përbashkët po zhvillohet sipas marrëveshjes. Aktualisht veprimtaritë zhvillohen më mjedise të improvizuara të përkohshme, të cilat me kohë tha ai do të shndërrohen në mjedise të përbashkëta.

“Madje edhe Komisioni Evropian ka qenë i kënaqur me marrëveshjet e Kosovës. Natyrisht, nëse duhet të përmirësohet diçka, do të bëhet, në veçanti në Jarinë. Pas të gjitha këtyre, kjo ka filluar sipas planit, përfshirë edhe numrin e policëve dhe të doganierëve, ashtu siç është paraparë me Protokollin e Marrëveshjes”, tha ministri Rexhepi.

Zbatimi i marrëveshjes për zyrtarët e EULEX-it shënon një hap të rëndësishëm në përmirsimin edhe të jetës së qytetarëve, tha zëdhënësja e këtij misioni Irina Gudeleviç.

“Më e rëndësishmja këtu është që menaxhimi i përbashkët i kufirit bëhet për mirëqenien e njerëzve. Por, normalisht komunikimin lidhur me të gjitha hollësitë duhet ta bëjnë Prishtina dhe Beogradi”, tha ajo, duke shprehur kënaqësinë e misionit të saj me fillimin e zbatimit të marrëveshjes.

Të martën, kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, ishin pajtuar që dy nga vendkalimet kufitare në Merdarë dhe në Jarinë të jenë funksionale që nga dhjetë dhjetori, ndërsa dy vendkalime të tjera kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet të përfshihen në regjimin e ri derë në fund të vitit, në kuadër të këtij procesi që shënon edhe rastin e parë të bashkëpunimit ndërmjet të dyja palëve, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Por, të dyja palët kanë shprehur pikëpamje të ndryshme. Derisa Beogradi, që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, thotë se nuk bëhet fjalë për vendosje kufiri, Prishtinë thekson se kjo është pika fillestare e vënies së kufirit mes të dy shteteve. Prishtina zyrtare ngulë këmbë se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit do të bëhet e qartë se Kosova nuk ndahet dhe veriu nuk do të ketë status të veçantë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces të ri bisedimesh politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe më ketë proces Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.
1545

KOMENTE