Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, zotin Adriatik Llalla, i cili sapo ka marrë detyrën pas miratimit të dekretit në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke e uruar zotin Llalla për detyrën e re në krye të organit të akuzës, Presidenti Nishani e siguroi për mbështetjen maksimale në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar.
Kreu i Shtetit theksoi se institucioni i Prokurorisë duhet të jetë i pavarur dhe jashtë çdo ndikimi nga politika, apo aktorë të saj, në mënyrë që vendimmarrja të jetë e drejtë dhe në zbatim të Kushtetutës dhe ligjës.
Presidenti i Republikës nënvizoi domosdoshmërinë e kryerjes së reformave në Prokurori si pjesë e reformës në drejtësi me synim rritjen e besimit të qytetarëve dhe vetë prokurorëve në sistemin e drejtësisë.
Kryeprokurori Llalla shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe dakordësinë e tij me Presidentin Nishani, se në këtë sfidë të rëndësishme do të ketë prioritet pikërisht forcimin e besimit të opinionit publik për këtë institucion, si dhe forcimin e besimit te puna e njerëzve që kryejnë çdo ditë detyra delikate në përballje me shkelësit e ligjit.
Prokurori i Përgjithshëm e siguroi Kreun e Shtetit se në këtë detyrë do të jetë garant i vlerave më të larta morale dhe integritetit në radhët e prokurorëve dhe të gjithë punonjësve që ushtrojnë funksione të tjera në organin e akuzës, si dhe do të ushtrojë funksionin e lartë me përkushtimin maksimal për ta vënë institucionin e Prokurorisë në shërbim të së mirës më të madhe publike.