English

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2013. Fjala e plotë e ministrit Bode

Projektbuxheti i shtetit për vitin 2013, është një projekt që mbështet rritjen ekonomike të vendit. Ne kërkojmë të mbajmë gjallë rritjen ekonomike në Shqipëri, sepse përgjatë kësaj periudhe, sipas të gjithë konsideratave të faktorëve ndërkombëtarë, jemi i vetmi vend që nuk është prekur dukshëm nga kriza ekonomike globale. Rritja ekonomike në këtë periudhë edhe përmes stimujve fiskalë të përdorur nga qeveria ka qenë më e shëndetshmja në krahasim me çka ndodhur në të gjithë hapësirën tjetër. Ju keni projektbuxhetin, pavarësisht demagogjisë me të cilën mundoheni t'i mbushni mendjen vetes suaj, pasi s'mund t'ia mbushni askujt tjetër. Po të lexoni raportin e fundit të FMN-së që flet për nivelin e mirëqenies në eurozonë dhe do të shikoni se në periudhën 4-vjeçare, vetëm Shqipëria ka një rritje të nivelit të mirëqenies prej 13.4%, ndërsa rajoni ka një rritje vetëm prej 2.6% dhe eurozona një rënie të nivelit me 0.8 pikë pëqindje të nivelit të mirëqenies së përgjithshme, e matur kjo me rritjen e PBB-së e konvertuar me koeficentin e fuqisë blerëse me paratë e secilit prej vendeve.

Ne kemi një propozim konkret me një zgjidhje konkrete, jo si opozita që flet me ëndrra, flet në tym. Propozimi ynë është ky, për shkak të presionit të krizës ekonomike globale dhe për tronditjen e brendshme që ka marrë konsumi, ai familjar dhe ai prodhues, ekonomia shqiptare edhe në vitin 2013 të ketë mundësinë që ky buxhet, edhe pse modest, të prodhojë disa stimuj fiskal për të mbështetur rritjen ekonomike. Kjjo qeveri e ka deklaruar se zgjidhjet e mëdha për problematikën e thellë dhe të madhe që ka dhe sjellë kjo krizë globale e tejzgjatur e që si dihet fundi, mund të gjenden përmes një politike që mbështet ofertën dhe prodhimin dhe sjell rritjen ekonomike, si instrumenti i zgjidhjes së problemeve sociale. Ju nuk jepni alternativa se si mund të përmirësojmë buxhetin. Stimujt fiskalë janë e vetmja alternativë. Propozojmë ulje të mëtejshme taksash edhe pse të ardhurat në buxhet nuk janë të mjaftueshme, sepse duam të mbajmë gjallë atë që gjeneron punë dhe mirëqenie, biznesin.

Projektbuxheti i vitit 2013 ka qenë një projektbuxhet që ka kaluar një proces disi më specifik, i cili nuk lidhet thjesht me procedurat e diskutimit të gjerë me të gjithë përdoruesit e buxhetit me botën e biznesit dhe më gjerë, por mendoj se ka synuar të reflektojë ato që përbëjnë specifikat e pritshme të vitit 2013. Unë mendoj që në këto specifika të vitit 2013, qeveria përsëri zgjodhi si objektiv për të mbajtur, për të boshtëzuar hartimin e programit fiskal për vitin 2013 edhe një herë çështjes së rritjes së ekonomisë së vendit. Një pozicioni sa më aktiv të buxhetit në raport me këtë rritje ekonomike, pasi mendojmë se çelësi i zgjidhjes së problematikës së ngarkuar të kësaj periudhe në fushën e ekonomisë, por dhe në aspektet sociale, mbetet tek ekonomia, tek rritja e saj e qëndrueshme dhe mundësia për të rivitalizuar dhe rikthyer ekonominë shqiptare në ritmet e saj më të mira, që të mundësojë njëkohësisht zgjidhjen e të gjithë problemeve edhe të financave publike.

Viti 2012 përcolli një panoramë tepër të zymtë të eurozonës, por dhe një goditje tepër të fortë, mbase më të fortën që provuan ekonomitë e rajonit tonë, Ballkanit Perëndimor, por dhe Europës Qendrore dhe Lindore, përgjatë gjithë kësaj krize globale. Një recension evident në tremujorin e parë të vitit 2012, bëri që gjithë ekonomia përgjatë gjithë këtij viti në rajon pa kaluar në eurozonë të vijojë të performojë në terma negativë. Pikërisht, mbajtja në konsideratë e këtyre presioneve të shtuara të ekonomive të eurozonës mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, por dhe Europës Qendrore dhe Lindore dhe veçanërisht mbi ekonominë shqiptare, pasi orientimi i ekonomisë sonë përmes partnerëve tanë kryesorë, Italisë dhe Greqisë është një ekonomi e orientuar në eurozonë dhe jo jashtë saj. Kur rreth 85 përqind e transaksioneve, shkëmbimeve ekonomike, tregtare dhe financiare, janë të orientuara nga kjo hapësirë. Për më tepër, sikurse e kam theksuar dhe më parë kanalet e komunikimit me ekonominë e eurozonës në vendet e rajonit tonë tashmë janë shtuar, sistemi bankar tashmë është më vulnerabël, më i komunikueshëm drejtpërdrejt me bankat mëmë me kapitalet e vendeve nga kanë ardhur.

Problematika e krijuar në sektorin energjetik për shkak të kompanisë së privatizuar dhe që operon në këtë sektor dhe për shkak të specifikave që pati vitit 2012, konjukturës së çmimeve në tregjet globale të energjisë elektrike e të tjera kanë bërë, që risqet që mund të vijnë mbi ekonominë nga sektori energjetik të jenë më të shtuara për vitin 2013, në këtë këndvështrim projektbuxheti i propozuar reflekton këtë të themi vulnerabilitet të veprimit të sektorit energjetik mbi ekonominë.
Së treti, viti 2013 është një vit elektoral dhe bën të domosdoshëm që projeksionet të jenë të matura, të jenë konservative në mënyrë që çfarëdo shpërqendrimi momental të mos preki balancat e ekonomisë shqiptare, të cilat janë tepër të vlefshme dhe të çmuara për të mbajtur në trend pozitiv në afatmesëm dhe afatgjatë ekonominë e vendit. Bazuar në këto sfida, unë edhe një herë do të ballafaqoja vitin 2013 me ato aspekte më pozitive që ka demonstruar dhe konsoliduar ekonomia shqiptare si avantazhe të saj me ekonomitë e rajonit dhe më gjerë, përgjatë periudhës së krizës globale.

Edhe viti 2013, sikurse e përmenda do të boshtëzojë politikat fiskale. Tek ky objektiv primar, rritja e ekonomisë së vendit krahasuar me vendet e rajonit, ekonomia shqiptare në periudhën 2009-2010 ka shënuar një rritje ekonomike mesatare prej 3.3 përqind. Sigurisht, viti në vijim do të raportojë pak më tej, paraqet disa specifika dhe dobësi më të shtuara, ndërkohë që ekonomitë e Europës Qendrore kanë mundësuar në këtë periudhë 3-vjeçare një rritje prej 0.1 përqind të PBB-së, çka do të thotë që në tre vite është në të njëjtin nivel të vitit 2009 niveli i përgjithshëm i prodhimit të brendshëm të këtyre vendeve. Edhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor që kanë pasur një trend me pozitiv, kanë pasur një rritje mesatare në tre vite prej 0.8 përqind. Ne programojmë që në vitin 2013 të mbështesim një rritje ekonomike shumë të lartë krahasuar me projeksionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Europës Qendrore, pa përmendur këtu krahasimin me vendet e eurozonës që janë ende në të papërcaktuar.
Lidhur ngushtë me këtë, elementi i dytë pozitiv që ka demonstruar ekonomia shqiptare gjatë krizës globale ka të bëjë me mirëqenien e përgjithshme ekonomike e shoqërore që jep kjo ekonomi e zhvilluar dhe në periudhat e presionit të krizës globale. Dhe mirëqenia e përgjithshme ekonomike e matur me prodhimin e brendshëm bruto e indeksuar me kualitetin e fuqisë blerëse sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, raporti i publikuar këtë vit rezulton me një rritje prej 13.4 përqind krahasuar me vitin 2008. Pra kemi një rritje të vazhdueshme të mirëqenies shoqërore, ndërsa krahasuar me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore edhe këto vende kanë demonstruar rritje prej 3.8 përqind dhe vendet e Ballkanit Perëndimor prej 3.4 përqind. Kjo veçori është tepër pozitive për ekonominë shqiptare, një ekonomi që edhe në presionet e krizës globale vijon të prodhojë mirëqenie të përgjithshme shoqërore, e ardhur nga rritja e PBB-së por edhe një inflacion tërësisht i moderuar do të persistojë edhe gjatë vitit 2013 dhe kjo reflektohet në shumë politika që ne kemi demonstruar në buxhetin e vitit 2013.

Ne kemi demonstruar që jemi në favor të këtij prioriteti të dytë dhe përgjatë gjithë periudhës së krizës globale nuk kemi hequr dorë dhe kemi mundësuar një rritje ekonomike më të lartë, por nga ana tjetër është e vërtetë që kemi bërë kujdes ekstrem për të mos deformuar stabilitetin ekonomik të vendit, i cili përbën një nga avantazhet më të dukshme të ekonomisë sonë të vogël dhe që ka mundësuar mbajtjen në trend pozitiv të investimeve të huaja direkte. Pikërisht, pra dilema për të gjetur një ekuilibër të ri midis këtyre dy nevojave, midis këtyre dy prioriteteve tepër të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, na ka bërë që edhe në vitin 2013 të mos heqim dorë nga një politikë fiskale nga një buxhet që të jetë proaktiv ndaj rritjes ekonomike. Proaktiv dhe do të shpjegoj pak më poshtë, jo thjesht në teori, por realisht në strukturën e buxhetit. Proaktiv që të demonstrojë vullnet drejt investimeve publike dhe përdorimin efiçent dhe efektiv të fondeve publike që mund të vijnë edhe nga konvertimi i një deficiti apo i një borxhi publik jo në ulje.

Edhe për vitin 2013 ne programojmë mbajtjen e vëllimit të investimeve publike në nivele tepër të larta krahasuar me ekonomitë e vendeve të rajonit dhe njëkohësit ruajtjen e të gjithë parametrave të tjerë makroekonomikë në nivelin e tyre më të mirë dhe në parametrat më të pëlqyeshëm për tregjet financiare dhe për ekonominë globale në tërësi. Dua të them, që në këtë janë dy çështjet më deklikatet. A do të mbajmë një vëllim investimesh që janë tipike për vendet që nxisin rritjen ekonomike dhe ne e kemi mbajtur përgjatë gjithë periudhës së krizës dhe nuk heqim dorë edhe për vitin 2013. Dilema ka qenë nëse duhet të ulej ky vëllim investimesh apo jo dhe përfundimisht qeveria vendosi që jo.

Ne duhet të mbetemi pozitivë dhe proaktivë ndaj nxitjes së ekonomisë. Përsëri investimet publike për vitin 2013 parashikohen në nivelin e 5 përqind e PBB-së sigurisht me një trend më të ulët sesa mesatarja e viteve të fundit. Viti 2009-2011, por gjithsesi me objektivin dhe parametrin më optimist që japin vlerësimet e FMN-së dhe institucionet e tjera ndërkombëtare për vendet që synojnë nxitjen e ekonomisë dhe mbajtjen e rritjes ekonomike në parametrat më optimalë. Ky tregues nuk ka qenë kaq pozitiv në vendet e rajonit, aq më pak në vendet e eurozonës. Për periudhën 2009-2011 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur një vëllim investimesh prej 2.9 përqind të PBB-së dhe një nivel prej 6.4 përqind të investimeve publike, që ka pasur Shqipëria. Pra, Shqipëria ka mbajtur një nivel mbi dy herë më të lartë nga mesatarja e rajonit për vëllimin e investimeve publike. Por, ajo që është më e rëndësishme nuk ka të bëjë thjesht me vëllimin total të investimeve publike, por me faktin nga financohen këto investime publike që lidhen ngushtë me shqetësimin e borxhit dhe deficitit të vitit 2013.

Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka qenë në një balancë korrente, e cila ka qenë në nivelin 1.9 përqind e PBB-së, ndërkohë që vendet e rajonit me një vëllim investimesh prej 2.9 përqind të PBB-së kanë pasur një balancë korrente në deficit, mesatarisht në këtë periudhë kanë pasur deficit 0.8 përqind të PBB-së. Vendet e rajonit edhe pse kanë bërë investime publike më pak se gjysma e Shqipërisë, këto investime i kanë financuar tërësisht me huamarrje. Dhe jo vetëm kaq, por vëllimi i huamarrjes ka qenë rreth 0.8 përqind më i madh nga investimet publike, çka do të thotë që kanë financuar, pagat, pensionet shpenzimet e qeverisë dhe aspekte të tjera të funksionimit operacional të qeverisjes me 0.8 përqind. Pra, me kredi me hua dhe nuk kanë qenë të mjaftueshme që të ardhurat fiskale të vitit nga taksat, tatimet të mbulonin aktivitetin korrent të qeverisë, Ndërkohë që ne në vendin tonë kemi financuar tërësisht aktivitetin korrent të qeverisë dhe kemi mundur të financojmë me tatimet dhe taksat e mbledhura 1.9 përqind të PBB-së ose rreth 1/3 e investimeve publike me të ardhura fiskale. Janë këto dy elementë që na bëjnë që për vitin 2013, ne të programojmë një vëllim investimesh që të jetë tërësisht i financueshëm me të ardhurat që marrim nga tatimet dhe taksat dhe programohet përsëri viti 2013, me një sufiçit fiskal prej 1.6 përqind e PBB-së. Pra, sikurse ua prezantova, nëse vëllimi i investimeve publike do të jetë 5 përqind e prodhimit të brendshëm bruto, huamarrja do të jetë 3.4 përqind, çka do të thotë që 1.6 përqind e investimeve në raport me PBB-në ose rreth 40 përqind e investimeve do financohen me të ardhurat nga tatimet dhe taksat, pra jemi në një trend pozitiv.

Mbajta e një niveli të lartë investimesh nuk është një akt dëshpërues për të mbajtur një trend pozitiv në rritje, por është një zhvillim tërësisht normal, më pozitiv, sigurisht shumë më pozitiv nga rajoni, por dhe më pozitiv nga kushtet normale të zhvillimit të aktiviteteve ekonomike të vendit. Nuk po ndalem në shifra të detajuara për këtë çështje, por dhe njëherë theksoj se, kjo dilemë edhe pse është në dukjen e parë e kritikueshme është zgjidhur në favor të ekonomisë dhe të stabilitetit afatmesëm dhe afatgjatë të financave publike të vendit.

Ekonomia gjatë vitit 2012

Shkurtimisht do të thoja që kemi një rritje ekonomike pozitive, në 3- mujorin e parë patëm një rënie me 0.2 përqind të ekonomisë shqiptare e shkaktuar siç thashë nga kushtet specifike që lidheshin me motin në këtë periudhë, me gjendjen e situatës energjetike në këto 3-mujorë dhe në vijimësi, që tremujori i dytë vijoi me një rritje 2 përqind dhe 6-mujori ka një rritje 1 përqind më të lartë, krahasur me 6-mujorin e parë të 2011-ës. Mendojmë që, tremujori i tretë ka një rritje pozitive, më pozitive se 6- mujori i parë, ndërkohë që në të katërtin pritet të shihen zhvillimet konkrete të ekonomisë shqiptare, përballë sfidave që ka ekonomia evropiane. Gjithsesi, jemi të bindur që objektivat fillestarë për rritjen ekonomike nuk u materializuan dhe viti 2012 rezulton të jetë një nga vitet më të vështira sikurse është për vendet e tjera të rajonit dhe eurozonës në raport me mbajtjen e këtij objektivi kaq të çmuar për stabilitetin afatmesëm dhe afatgjatë të vendit. Sa i takon inflacionit në periudhën janar-tetor, ai ishte rreth 2 përqind dukshëm nën objektivat e parashikuar nga Banka e Shqipërisë, pra nuk kemi të bëjmë me një presion inflacioni, rritje çmimesh në treg. Tregu i punës ka qenë një nga aspektet më pozitive.

Përgjatë vitit 2012 nuk kemi rritje të papunësisë, përkundrazi kemi një rënie shumë të moderuar me 0.2 përqind të saj dhe nivelin 13.3 përqind të fund të tremujorit të dytë dhe mendojmë përgjatë gjithë vitit nuk do të ketë presione për rritjen e papunësisë në vend. Sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, por dhe të matura do të thoja mjafton t’ju përmend që depozitat në fund të muajit shtator janë rritur mbi 10 përqind. Konsiderohet nivel i lartë krahasuar me vendet e tjera, po shumë i ulët në krahasim me mesataren disa vjeçare të ekonomisë shqiptare. Për më tepër, kredia është rritur me 5.8 përqind në norma mesatare vjetore për të njëjtën periudhë. Me këtë nivel të rritjes së kredisë për ekonominë reale mund të pretendohet pak për të qenë aktiv kreditimi si drejtues i rritjes ekonomike. Po të shohim nga ana strukturore, kemi një rritje të nivelit të kredive të këqija, që njihet nga opinioni publik dhe që bëhet presion dhe tregon në një farë mase edhe situatën që po kalon ekonomia reale. Por ajo që duhet thënë dhe që përbën thelbin e tregut bankar është raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili mbetet 15.6 përqind dukshëm mbi nivelin e kërkuar, qoftë nga sondazhet e Bankës Qendrore Europiane qoftë nga ato të Bankës së Shqipërisë. Dhe kjo është mundësuar përmes rritjes së nivelit të provigjoneve që mbeten shumë më të larta dhe që krijojnë mundësi dhe që dëshmon nivelin, ku operojnë bankat shqiptare që është një nivel i mjaftueshëm fitimi për të mbuluar çdo lloj risku që vjen nga moskthimi i kredive.

Pozicioni i jashtëm ka njohur një përmirësim të dukshëm

Kemi një sufiçid prej 11 milionë euro në bilancin e pagesave në krahasim me 78 milionë euro deficit në të njëjtën periudhë të 9-mujorit të vitit të kaluar. Defiçiti i llogarisë korrente ka rënë më tej me 16.5 përqind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2011, ndërsa teprica e llogarisë financiare është rritur me 10.5 përqind. Të gjitha këto flasin për një situatë financiare shumë pozitive dhe ajo që është më e rëndësishme bëhet fjalë për rritjen e flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte, të cilat për periudhën 9-mujore janë 25.9 përqind më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pra, fluksi i investimeve të huaja direkt që vazhdon e rritet me ritme shumë më të larta sesa niveli tradicional i pasur, dëshmon edhe një herë situatën e përshtatshme ekonomike, nxitëse dhe atraktive për investitorët e huaj për ekonominë shqiptare. Rrjedhimisht, për shkakun e zhvillimeve në tregun financiar, leku vazhdon të luhatet në parametra tërësisht pozitiv dhe dëshmon forcën e tij në raport me monedhat ndërkombëtare me valutat. Sa i përket aspektit fiskal, të ardhurat e buxhetit në vitin 2012 për periudhën 9-mujore janë rritur me 2 përqind në krahasim me vitin e kaluar, duke krijuar një deficit në krahasim me atë që është 6.7 përqind. Duhet thënë që, kjo dëshmon një trend pozitiv edhe në kushtet e vitit 2012 edhe pse nuk janë në përputhje me objektivat. Por, mbajtja në trend pozitiv e të ardhurave fiskale edhe gjatë vitit 2012 është një tregues shumë pozitiv i administrimit të mirë fiskal dhe i kapaciteteve të mira që ka ekonomia shqiptare, pasi ka një korrelacion jo tërësisht të drejtpërdrejtë midis treguesve të rritjes ekonomike dhe të atyre fiskale, kur preken aktivitetet. Rrjedhimisht, kemi një nivel të shpenzimeve publike në të njëjtin nivel të vitit të kaluar dhe kjo ka bërë që deficiti i buxhetit për 9-mujorin të jetë 25 përqind më i ulët krahasuar me një vit më parë.

Deri tani në përputhje të plotë me autorizimin që ka dhënë Parlamenti, të mbetemi në fund të vitit në 3 përqind të PBB-së. Sigurisht ne kemi propozuar një rishikim edhe për buxhetin 2012, i cili të mundësojë zgjidhjen pa pengesa të problematikës së krijuar nga prapambetja relative e objektivave të të ardhurave edhe pse shpenzimet duket se janë nën kontroll dhe nuk përbëjnë një problem apo presion të madh.

Objektivat e buxhetit për 2013

Të gjitha këto projektime marrin në konsideratë disa supozime. Supozimi i parë ka të bëjë me rritjen ekonomike. Programohet një rritje ekonomike prej 4 përqind në terma realë. Sigurisht, debatet dhe diskutimet këtu kanë për të qenë, jo është e lartë po është e ulët, megjithatë, unë ju siguroj që ka një lidhje dhe një korelacion shumë të fortë midis parashikimit në rritjen ekonomike reale dhe objektivave të tjerë që ne i lidhim ngushtë me të. Sepse po ashtu, pas rritjes ekonomike ne kemi një normë inflacioni që parashikohet të jetë rreth 3 përqind dhe në këto kushte çdo mosmanifestim në rritje ekonomike në terma reale do të demonstrohet me një rënie të inflacionit të parashikuar, çka do të thotë që rritja ekonomike në terma nominalë, dhe gjithë treguesit e buxhetit që lidhen me terma nominale janë tërësisht të sigurt, janë “safe”. Bazohet në një supozim tjetër, që importet e mallrave do të jenë rreth 6.4 përqind krahasuar me ato të vitit 2012 dhe në një supozim tjetër që eksportet e mallrave do të jetë rreth 15 përqind më të larta me ato të vitit në vijim.

Të gjithë këta tregues, janë tregues që janë të justifikuar dhe argumentuar, por që janë baza e gjithë asaj që ne kemi hedhur në raportet e buxhetit të programuar. Politika fiskale boshtëzon rritjen ekonomike dhe si e tillë programon një vëllim investimesh në nivel 5 përqind të PBB-së dhe këto investime të orientuara kryesisht në sektorë të tillë që kanë lidhje me ekonominë dhe që kanë një “return”, rikthim për ekonominë reale siç është infrastruktura rrugore dhe infrastrukturat e sektorëve të tjerë siç është bujqësia apo industritë e tjera që lidhen me industrinë prodhuese. Pra, nuk godasim parametrat që lidhen me këtë rritje ekonomike, mban një rol proaktiv, rol të themi tërësisht nxitës përballë rënies së nivelit të kreditimit nga sistemi financiar. Kështu që është thirrur politika fiskle, për të reaguar dhe reagimi është tërësisht në investime publike dhe tërësisht në infrastrukturë.
E dyta, politika fiskale si e tillë vijon me politikat për të nxitur ekonominë reale, bizneset. Ne kemi përgatitur një paketë fiskale që vjen bashkë me buxhetin dhe do t’i shërbejë këtij buxheti politik. Por kjo paketë është një paketë tërësisht stimuluese për të rritur dhe mbështetur investimet në ekonominë reale për të hequr të themi pagesat në doganë, TVSH-në për makineritë dhe pajisjet, sikurse dhe për disa sektorë prioritarë edhe materialet e tjera që lidhen me investimet në mënyrë që të vijojmë të mbajmë një administrim të mirë të sistemit të taksave dhe nga ana tjetër të jemi nxitës dhe shumë aktivë me investimet publike dhe rritjen ekonomike të vendit. Në përputhje me këto politika mund t’ju përmend dhe shifrat, por do të preferoja që t’i lexoni apo trajtoni përmes pyetjeve.

Qeverisja e vogël mbetet në thelbin e saj, duke mbetur dukshëm në krahasim me vendet e rajonit më e ulët. Ajo që duhet thënë në strukturë edhe pse jemi një qeverisje e vogël jemi qeverisja në rajon me peshën më të lartë të shpenzimeve sociale. Rreth 40 përqind e shpenzimeve të buxhetit ose mbi 50 përqind e shpenzimeve korrente të buxhetit janë flokuar, adresuar për politika sociale, të cilat edhe për vitin 2013 do të vijojnë të jenë në të njëjtin trend, ritëm që janë programuar në programin e qeverisë në momentin e votimit të saj në Parlament. Pra, do të kemi të njëjtin nivel pagash dhe pensionesh dukshëm si mesatare mbi nivelin e inflacionit, sikurse e patëm këtë vit dhe do të vazhdojmë politikat e tjera sociale që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike, trajtimin e shtresave të tjera më të ekspozuara për të mbajtur një nivel përgjatë kësaj periudhe të krizës globale të lartë të shpenzimeve sociale. Sigurisht, kjo nuk është çështje thjesht parimore, por zgjidhje e detyruar për të ruajtur pozicionin dhe kohezionin e përgjithshëm social në raport me reformat në raport me perspektivën ekonomike të vendit.

Më lejoni që t’ju ftoj që në mënyrë konstruktive mund të tërheqim apo kontribuojmë për përmirësimin e mëtejshëm të këtij projekti që kemi sjellë.

KOMENTE