Bashkia e Tiranës po vijon monitorimin intensiv të tregjeve të kryeqytetit, në mënyrë që të parandalohet rritja abuzive e çmimeve, dukuri që vihet re kryesisht me afrimin e festave të fund vitit. Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Geron Ibrahimi, nga tregu i uzinës “Dinamo” ka bërë të ditur dhe nisjen e publikimit të çmimeve mesatare të fruta - perimeve dhe produkteve të shportës.
“Paralelisht po monitorohen 6 tregje në kryeqytet. Ndërkohë, çmimet mesatare të fruta-perimeve dhe të produkteve të shportës në 3 prej këtyre tregjeve, atij tek uzina “Dinamo”, tregu i Pazarit të Ri, tregu ushqimor në Qytetin e Nxënësve, duke nisur nga sot e në mënyrë të përditshme, do të bëhen transparente për mediat, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar mbi çmimet mesatare, në kohë reale.
Ne jemi të vendosur, që ashtu si një vit më parë të marrim masa të menjëhershme, nëse këto çmime ndryshojnë në mënyrë abuzive, në zona apo tregje të caktuara, madje unë dua t’u kërkoj edhe qytetarëve të bashkëpunojnë, duke na dhënë informacion, në rast se vënë re abuzime me çmimet.
Në rast se do të konstatojmë ngritje abuzive të çmimeve, gjë të cilën për fat të mirë deri tani nuk e kemi konstatuar, kemi gati të gjithë logjistikën e nevojshme, për ngritjen e një apo dy tregjeve alternativë, në funksion të qytetarëve” – u shpreh z. Ibrahimi.