English

Sabri Godo nderohet nga presidenti me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, personalitetin e shquar, historianin, shkrimtarin, akademikun dhe politikanin Sabri Godo (Pas vdekjes), me motivacionin: “Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë dhe vizionar me kontribut të çmuar në proceset demokratike; shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit dhe vendit të tij”.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishin të pranishëm familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të Sabri Godos. Duke përshëndetur pjesëmarrësit, Presidenti i Republikës u shpreh se është privilegj që në këto momente të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve të nderojmë një prej figurave të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, Sabri Godo.

“Sot është një privilegj për të gjithë ne të vlerësojmë luftëtarin e luftës për çlirim. Sot për ne është një privilegj të nderojmë artistin dhe shkrimtarin Sabri Godo. Sot për ne është një mundësi për të ofruar nderim për patriotin Sabri Godo. Sot është një rast i mirë për të gjithë ne, por përmes nesh, jam i bindur çdo qytetari shqiptar dhe çdo shqiptari të ndershëm, për të ofruar nderim për politikanin antikomunist Sabri Godo. Sot për të gjithë ne është një moment i rëndësishëm për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen për eruditin Sabri Godo, babain, bashkëshortin, mikun, shokun, bashkëluftëtarin, politikanin, në të gjitha aspektet. Ndaj ne kemi privilegjin ta shfrytëzojmë këtë moment dhe të gjitha këto kontribute të Sabri Godos t’i ngulisim në historinë moderne të Shqipërisë. Jam i bindur që ky akt i yni në nderim, në vlerësim dhe në kujtim të Sabri Godos është në fund të fundit një vlerësim dhe një borxh që qytetarët shqiptarë dhe çdo shqiptar i mirë dhe i ndershëm do të kishte kënaqësinë që ta jepte si kontribut”, – theksoi Kreu i Shtetit, duke e konsideruar veprën që la pas Sabri Godo, krenari jo vetëm për familjen e trashëgimtarët e tij, por për të gjithë shqiptarët.

Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Urdhri i lartë “ Gjergj Kastrioti Skënderbeu” iu dorëzua nga Kryetari i Shtetit të bijës së Sabri Godos, e cila në shprehje të mirënjohjes për këtë nderim u shpreh se “Ky është një nder i madh që i bëhet babait tonë, sepse me këtë titull të lartë, ai përfundimisht vihet në radhën e njerëzve të shquar të Shqipërisë! Do të doja, do të kisha dëshirë që ai ta kishte marrë vetë këtë titull, por jam e sigurt që ai e ka ndjerë edhe më parë kujdesin tuaj dhe respektin tuaj. Kështu që në njëfarë mënyre jam e qetë. Të jesh bir dhe nip i një njeriu të shquar, nuk është edhe aq e thjeshtë, dhe nuk është një privilegj, sepse njeriu duhet të përpiqet shumë që të mbajë emrin, që të mbajë mbiemrin”.

KOMENTE