English

Berisha pas samitit në Bruksel: tre ligjet janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e Samitit të zgjeruar të Partive Popullore Evropiane, punimet e të cilit u zhvilluan në Bruksel.

Në punimet e këtij Samiti, ku ishin pjesëmarrës Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Sllovenisë Janez Jansa, Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras, etj., u diskutua për çështje qendrore të Bashkimit Evropian dhe për problemet e vendeve të veçanta.

Pas punimeve të Samitit, në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha u shpreh: Sot ishte një seancë e zgjatur, në të cilën pati vend si për çështjet qendrore, për të cilat mblidhet sot Samiti i Bashkimit Evropian, ashtu dhe për problemet e vendeve të veçanta.
Siç dihet, për Shqipërinë Komisioni Evropian ka bërë një raport pozitiv, por ka përcaktuar votimin e tri ligjeve si një detyrim, në mënyrë që t’i bëjë rekomandimin përfundimtar Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Këto tre ligje janë mbajtur dhe mbahen peng nga kryetari i opozitës, i cili beson se duke bllokuar statusin për shqiptarët dëmton qeverinë dhe do të thosha ai bën një kalkulim shumë, shumë të gabuar. E vërteta është se shqiptarët kanë të gjithë fuqinë dhe potencialin për të shembur çdo mur. Ashtu siç rrëzuan murin e bashkisë, siç rrëzuan murin e Berlinit dhe e festuan, tani do të rrëzojnë edhe murin bllokimit, të zotit Rama. Por ky është një realitet dhe, natyrisht, unë pata një diskutim për këtë. Mora sigurinë se Partia Popullore Evropiane do të shqyrtojë në mënyrë të veçantë këtë situatë të krijuar nga ky bllokim absurd i një njeriu që e bën atë për interesa të karriges së tij të pushtetit.
Natyrisht, në ekspozenë time bëra një paraqitje më të gjerë të zhvillimeve në Shqipëri. Në takimet që pata me kolegët e mi, unë i njoha ata me të gjitha zhvillimet, me situatën në rajon, e cila me gjithë përparimin e njohur sërish vuan nga albanofobia, një faktor ky i dëmshëm për bashkëpunimin dhe klimën bashkëpunuese në rajon. Albanofobia është një qëndrim që i ka rrënjët në padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj shqiptarëve dhe më pas përpjekja për t’i legjitimuar këto padrejtësi në forma nga më të ndryshmet. Edhe një herë theksoj se Partia Demokratike mbetet tërësisht e vendosur në projektin e saj: Të bashkohemi me njëri – tjetrin, të bashkohemi me Evropën. Kjo është përgjigja më e shkëlqyer që merr albanofobia në rajonin tonë.

KOMENTE