Entuziazmi i nxehtë i të rinjve eurosocialistë ja ka dalë me sukses të sfidojë të ftohtin e madh që shënonte temperaturën -5 gradë celsius në Lezhë, gjatë Manifestit “Unë jam FRESSH”, të zhvilluar gjatë pasdites në këtë qytet.
Një Manifest ndryshe nga të tjerët, ku optimizmi dhe energjia për të përballuar çdo sfidë ndjehej në çdo brohoritje të të rinjve lezhjanë, si një garanci se me të njëjtën këmbëngulje dhe besim që kanë sfiduar të ftohtin ata do të sfidojnë edhe të keqen që ka zaptuar vendin e do të frenojnë rrënimin e mëtejshëm, duke i dhënë forcë ndryshimit për një Rilindje Shqiptare.
Duke hapur Manifestin, Sekretari për Rininë në PS, Erion Valiaj ka prezantuar nga Lezha edhe nismën më të re në rrjetin social Facebook në të cilën të rinjtë kanë mundësi të fotografojnë ndryshimin. “Sa prej jush keni Facebook? Të gjithë keni. Dua t’ju bëj një njoftim. PS ka hapur një konkurs i cili quhet “ Fotografo Ndryshimin”, është në faqen në facebook të Edi Ramës dhe të shumë aktivistëve tanë, mjafton të keni vetëm një celular dhe një facebook dhe ashtu siç betejën e fundit dhe garën e fundit në facebook, e fitoi një djalë i ri nga Lezha që kishte mbi 2 mijë like tek iniciativa jonë “ Ngri Flamurin” dhe mori çmimin e parë në Vlorë, unë uroj që sërish një i ri nga Lezha të ketë sa më shumë like për konkursin tonë “ Fotografo Ndryshimin”. Kështu që nëse keni një celular dhe facebook bëni një fotografi, postojeni tek ky aplikacion, merrni më shumë like dhe mund të fitoni një nga ipadet që do të shpërndahet për vitin e ri në këtë konkurs”, ka thënë Veliaj, i cili më pas ka ftuar në skenë kreun e Partisë Socialiste
Edi Rama u është drejtuar të rinjve lezhjanë me besimin e plotë se ata janë garancia më e mirë e ndryshimit që do të vijë në vitin 2013. Sipas tij PS përmes programit të saj kërkon të ndërtojë Shqipërinë Europiane, ku punësimi dhe shkollimi të jetë i mundur për të gjithë të rinjtë. “Ne duam po ashtu që t’u japim mundësi vajzave dhe djemve të këtij vendi që përmes talentit të tyre t’ja dalin. T’ja dalin për të fituar shkollën që duan, t’ja dalin për të bërë punën që duan, t’ja dalin për të ndërtuar jetën që duan. Ne jemi të bindur që ne së bashku mund t’ja dalim. Ashtu sikundër jemi të bindur që Shqipëria Europiane është ajo që do të ndërtojmë së bashku këtu, në Tiranë, në Lezhë, në Shkodër, në Vlorë, në Sarandë në të gjithë Shqipërinë”, ka theksuar kryesocialisti Rama. Ai ka përfituar nga rasti për t’u bërë një apel të veçantë të rinjve lezhjanë: “Shqipëria e festoi 100 vjetorin e pavarësisë. Por Shqipëria sot duhet të fitojë pavarësinë nga korrupsioni. Pavarësinë nga injoranca, pavarësinë nga varfëria dhe papunësia. Kjo është pavarësia që na duhet sot dhe për këtë pavarësi ne do të luftojmë së bashku dhe këtë pavarësi do e fitojmë duke e bërë vitin 2013 vitin e ndryshimit”.
Manifesti i “FRESSH”, është një projekt interaktiv, me shumë dimensione ku veç bashkimit të çdo të reje e të riu që kërkon ndryshimin, mishëron edhe vullnetin, ambicien dhe shpresën për të jetuar në një Shqipëri më të mirë. Është kjo fushata e të rinjve eurosocialistë që po përhapet nga Tirana në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje e në çdo gjimnaz. Është kjo nisëm që ka nisur për të bashkuar çdo të ri që do ndryshimin deri në fitoren e zgjedhjeve 2013 pranë Forumit të të rinjve eurosocialistë.