Partia Socialiste ka denoncuar shkeljen e ligjit për deklarimin e pasurisë nga Sali Ram Berisha, çka ka bërë që mbi këtë deklarim të bien hije të forta dyshimi, veçanërisht lidhur me të ardhurat e tij nga dietat për udhëtimet jashtë vendit si dhe më keq akoma lidhur me një shumë prej 10 milionë lekësh në formë CASH, të ardhura, me shkrim dore, pa asnjë sqarim të hollësishëm se si është siguruar kjo e ardhur. Deputeti socialist Taulant Balla, gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite ka deklaruar se PS do të nisë një seri denoncimesh lidhur me grupin e bllokmenëve të rinj të lidhur ngushtësisht me Sali Berishën, duke bërë transparente për publikun deklarimet zyrtare të pasurisë, për secilin anëtar të familjes biologjike dhe politike të Kryeministrit të vendit.
“Totalit të përfitimeve dhe kursimeve prej 76 milionë lekësh, në këto kohë krize ekonomike, papunësie dhe varfërie, Kryeministri i vendit i shton edhe plot 10 milionë lekë CASH, të ardhura, me shkrim dore, pa asnjë sqarim të hollësishëm se si është siguruar kjo e ardhur. Kryeministri nuk ka specifikuar as emërtimin e institucionit, organizatës apo aktivitetit, prej së cilave mund t’i ketë siguruar këto të ardhura”, ka shtuar deputeti socialist, i cili më pas i ka drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë kryeministrit, nëse ky i fundi kishte paguar ndonjë tatim për përfitimin e kësaj shume prej 10 milionë lekësh.
“Ndërsa prej vitesh qeveria bën thirrje për formalizimin e ekonomisë, Kryeministri paska një thes me para në shtëpi, të cilit nuk i dihet origjina, por vetëm vendndodhja”, është shprehur deputeti Taulant Balla, i cili në fund të fjalës së tij premtoi se në ditët në vazhdim do të ketë të tjera denoncime për pasuritë marramendëse të bllokmenëve të rinj, llogari bankare, apartamente qindra metra katrorë dhe vila luksoze.