numri i telefonit 2274774
adresa: mailikonsumatori@tirana.gov.al
Task-forca e Bashkisë së Tiranës ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme, monitorimin e çmimeve në tregjet e kryeqytetit. Sot, task - forcës i është bashkëngjitur edhe Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranë z. Petrit Vasili i cili sot ishte në tregun e Pazarit të Ri dhe në mbyllje të javës së monitorimit intensiv të çmimeve, ka theksuar se nuk është konstatuar deri deri, asnjë rritje abuzive e çmimeve.
“Sot jemi këtu, në një verifikim të drejtpërdrejtë të tregut, në përfundim të javës së parë të ngritjes së task-forcës sonë. Kemi kënaqësinë të konstatojmë, se gjatë gjithë kësaj jave nuk kemi vënë re dukurinë negative të rritjes abuzive të çmimeve, që lidhet drejtpërdrejt me këtë prag festash. Sot, kam një kënaqësi tjetër të shtuar, që pjesë integrale e grupit tonë bëhet edhe Shoqata e Konsumatorëve, së bashku me Akademinë e Konsumatorëve dhe në këtë mënyrë ne sigurojmë të gjithë opinionin dhe gjithë zërin e konsumatorëve, duke qenë pjesë e gjithë këtij grupi të madh” – u shpreh z. Vasili.
“Ky aksion do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, edhe në orët dhe ditët në vijim” - tha z. Vasili, i cili bëri publik edhe numrin e telefonit 2274774 dhe adresën mailikonsumatori@tirana.gov.al, ku qytetarët në çdo kohë mund të bëjnë denoncime, në rast se konstatojnë abuzime me çmimet që publikohen periodikisht, nga Bashkia e Tiranës.
“Situata është pozitive, pasi shifrat e tregojnë këtë gjë. Fakti që sot kemi përfundimisht çmime të afishuara në të gjithë tregun, lehtëson monitorimin dhe i bën të gjithë aktivë, për të qenë pjesë e këtij monitorimi. Për çdo eventualitet dhe situatë të krijuar, kemi miratuar edhe mundësitë alternative, ngritjes së një tregu alternativ, i cili do të jetë në hyrje të stadiumit “Dinamo”, një ambient tepër i gjerë, ku në rast se do të lindë nevoja, do të ngremë ashtu si edhe një vit më parë një treg alternativ, i cili garanton që çmimet të jenë nën kontroll të plotë, në mënyrë që qytetarët të mos përballen në asnjë rast me abuzivitetin dhe shpërdorimin, në kurriz të tyre” – theksoi zv/Kryetari Petrit Vasili.
I pranishëm në kontrollet e Bashkisë ishte dhe përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, z. Altin Goxhaj:
“Kam kënaqësinë të falenderoj AMK (Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit), pranë Bashkisë së Tiranës e cila është kaq pranë qytetarëve dhe z. Petrit Vasili, zv/Kryetar i Bashkisë, i cili është një ndër iniciuesit edhe të këtij bashkëpunimi, pasi besojmë dhe ky është një fakt i vërtetuar, se Bashkia vërtet ndodhet pranë konsumatorit por edhe konsumatorët të jenë një zë më aktiv brenda Bashkisë, duke arritur që të informojnë sa më shpesh Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Tashmë, në faqen on- line të Bashkisë së Tiranës, çdo qytetar mund të aksesojë direkt dhe të raportojë lidhur me çdo lloj problemi që ka. Aktualisht, jemi në diskutimin e çmimeve dhe aty kanë të gjithë mundësitë që të raportojnë. Organizata jonë ka marrë përsipër që të sjellë sa më shumë raportime nga konsumatorët, raste abuzimi në treg që kanë të bëjnë me çmimet. Ne besojmë se nëse Bashkia është pranë konsumatorit dhe konsumatorët do të jenë më aktivë, do të kalojmë një vit të ri ndryshe nga vitet e tjera, në raport me një moslejim të trendit të zakonshëm, të rritjes së çmimeve, në festat e fund-vitit”