Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim Drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të NDI (Institutit Demokratik Kombëtar), Robert D. Benjamin.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e Institutit Demokratik Kombëtar si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë, veçanërisht përmes projekteve të tyre në fusha të ndryshme.
Gjatë takimit Kryetarja Jozefina Topalli dhe z. Benjamin diskutuan në lidhje me projekte të reja që ky Institut po realizon në vendet e rajonit, ku konkretisht në Shqipëri, ekipe të veçanta të NDI kanë nisur disa konferenca dhe takime në qytete të ndryshme të vendit me qëllim sensibilizimin dhe informinin e shoqërisë mbi çështje politike e sociale.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Kryetarja e Kuvendit tha se “Mosvotimi i tre ligjeve të integrmit nga opozita është gjëja më e keqe që mund të kisha imagjinuar. Bllokimi që Rama i bëri statusit është fundi politik i një politikani.”
Kryetarja Jozefina Topalli ftoi Institutit Demokratik Kombëtar në SHBA që të dërgojë sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Më tej Kryetarja e Kuvendit dhe z. Benjamin diskutuan për Kosovën duke vlerësuar konsolidimin e institucioneve atje dhe të shtetit në tërësi si një shtet sovran dhe i pavarur. Dy bashkëbiseduesit vlerësuan ndër të tjera rolin e Shqipërisë si faktor kyç në paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Z.Benjamin gjatë takimit i shprehu Kryetares Jozefina Topalli urimet për 100 vjetorin e Shpalljes së Pavarëisë, ku dhe theksoi se kishte ndjekur nga Prishtina festimet madhështore të shqiptarëve në këtë vit jubilar.