English

Zëvendësministri Petrit Selimi merr pjesë në Kartën SHBA - Adriatik (A5)

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, po merr pjesë në takimin e radhës të komisionit për partneritet të Kartës SHBA- Adriatik (A5).

Hapja e punimeve të komisionit është bërë të premten nga zëvendëskryeministrja e parë, njëkohësisht ministre e Punëve të Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic.

Takimi i është dedikuar proceseve integruese Euro-Atlantike të Evropës Juglindore, rolit të diplomacisë publike në procesin e anëtarësimit në NATO si dhe për misionin e ISAF-it në Afganistan.

Në takim, përveç ministres së Jashtme kroate kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lukšić, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Ilir Melo si dhe përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Në fjalën e tij para përfaqësuesve në komision, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës Petrit Selimi, pasi ka përshëndetur anëtarët e Kartës SHBA-Adriatik, ka thënë se viti 2012 ka qenë një vit i konfirmimit të prezencës së pakthyeshme të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe në shoqërinë e kombeve euroatlantike.

Selimi ka prezantuar procesin e përfundimit të kapaciteteve të plota të FSK-së, për të filluar fazën e ardhshme të zhvillimit të saj.

Komisioni për partneritet i Kartës, gjatë punimeve ka aprovuar një deklaratë, në të cilën për herë të parë hapen dyert për anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë iniciativë shumë të rëndësishme të mbrojtjes dhe politikës së jashtme dhe ku përshëndetet pjesëmarrja e Kosovës në cilësinë e vëzhguesit, në këtë seancë të komisionit.

Në margjina të takimit, zëvendësministri Selimi po ashtu ka zhvilluar takime me zëvendëskryeministren, njëkohësisht ministre e Punëve të Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusic, me ambasadorin e SHBA-ve në Kroaci, Kenneth Merten, përfaqësuesin e MPJ-së së Shqipërisë Ilir Melo dhe përfaqësuesit e tjerë në komision.

Në këtë takim, përveç përfaqësuesit të Republikës së Kosovës, zëvendësministrit Petrit Selimi, ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i MPJ-së së Serbisë, shtet i cili po ashtu nuk është anëtar i Kartës.

Karta SHBA-Adriatik është nënshkruar në maj të vitit 2003, nga ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë si dhe sekretari i shtetit i SHBA-ve në atë kohë, Colin Powell. Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi i janë bashkuar iniciativës në vitin 2008.

KOMENTE