English

Banka Botërore: varfëria në Shqipëri, në nivele alarmante

Punësim, Punësim dhe vetëm Punësim dhe transformim të modelit ekonomik, kështu është angazhuar Kryetari i PS, Edi Rama në Konferencën Kombëtare për Çështjet Sociale të mbajtur dje në Durrës. Rama ka vënë theksin në faktin se aleate e pushtetit është varfëria, duke sjellë shembuj se aty ku pala në pushtet ka më shumë mandate përfaqësimi aty varfëria është më e thellë: “ 70% e familjeve në Kukës jetojnë me ndihmën ekonomike, gjysma e familjeve në Dibër jetojnë me ndihmë ekonomike, 1 në 4 familje në Lezhë dhe në Shkodër jetojnë me ndihmë ekonomike. Ky është një tregues rrëqethës, por është një tregues që duhet të na tregojë ne socialistëve se varfëria nuk është aleate e opozitës. Varfëria është një kalë mbi të cilin qeveria kalëron lirisht përmes frerëve të korrupsionit dhe të presioneve që janë shumë më të lehta aty ku ka varfëri.”

Sot varfëria në vend është në nivele alarmante, nuk është një statistikë që jepet nga selia e PS por është Banka Botërore që thotë se në Shqipëri varfëria është 62.1%. Për Edi Ramën rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë është punësimi.

“Rruga e vetme për të dalë nga kjo situatë është një model rritjeje me punësim. Dhe punësimi real është sfida kryesore e të nesërmes. Punësimi real kërkon një transformim të modelit ekonomik dhe një rishikim të strukturës së ekonomisë”, u shpreh Kryetari Rama duke theksuar se këmbëngulja tek ky model aktual do të thotë hapje e mëtejshme e zgavrës së varfërisë.

Kryetari Rama në këtë konferencë kombëtare për Çështjet Sociale ka treguar edhe disa nga piketat e programit të ri të socialistëve për përgjysmimin e varfërisë brenda mandatit të parë të qeverisjes që nis në 2013.
“Ne do të dhjetëfishojmë financimet publike për hapjen e vendeve të punës në sektorin jo bujqësor. Ne do të pesëfishojmë financimet për bujqësinë dhe padyshim do të nxisim krijimin e ndërmarrjes sociale nëpërmjet një legjislacioni të ri mbi biznesin social” theksoi Kryetari Rama duke u angazhuar se PS do ta ndryshojë në thelb programin e ndihmës ekonomike duke e kthyer në një program të riintegrimit social.

KOMENTE