English

CEZ "kërcënohet" hapur nga METE. CEZ përgjigjet (VIDEO)

Në ditët e fundit, ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike kanë ndodhur në rrjetin e shpërndarjes, duke lënë pa energji, në raste të caktuara edhe për ditë të tëra, familje, biznese dhe institucione publike.

Operimi dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes është përgjegjësi e plotë e kompanisë “CEZ Shpërndarje”, e cila përveçse detyrimit të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët në mënyrë të pandërprerë, ka për detyrë absolute të riparojë me shpejtësi defektet në rrjet kur ato shfaqen, me qëllim minimizimin e kostove për familjarët, bizneset dhe institucionet publike.

METE vëren se një gjë e tillë nuk ka ndodhur; ajo shpreh keqardhjen e thellë për shërbimin jocilësor dhe problematik të shkaktuar nga ana e kompanisë “CEZ shpërndarje”.

Energjia elektrike nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë kurrë: KESH dhe OST kanë plotësuar dhe vazhdojnë të plotësojnë pa ndërprerje të gjitha kërkesat e “CEZ shpërndarje” për energji dhe shërbime: Qeveria ka mundësuar që asnjë kilovat orë energji të mos mungojë për shqiptarët.

METE është plotësisht në ndjekje të kësaj situate, rast pas rasti, për çdo ndërprerje të energjisë elektrike. METE vëren se Kompania “CEZ Shpëndarje” nuk ka përmbushur detyrimet e saj: numri “defekteve” dhe kohëzgjatja e riparimit të tyre, është rritur në mënyrë jonormale, vetëm për shkak të performancës së dobët të “CEZ Shpërndarje”, duke shkaktuar probleme të mëdha për të gjithë konsumatorët.

Ne kemi prova se parametrat e stakimit të kabinave elektrike janë më të ulta se normalja; ato janë reduktuar nga vetë kompania “CEZ shpërndarje”, duke sjellë ndërprerje më të shpeshta dhe pa shkak të energjisë elektrike. Ne kemi gjithashtu prova se kompanisë “CEZ shpërndarje” i mungon një bazë adekuate e pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, të cilat janë të domosdoshme për të përballuar problematikën që sjell një mot i ftohtë.

Të gjitha këto veprime e mosveprime të kompanisë CEZ Shpërndarje kanë sjellë kushte aspak normale të furnizimit me energji të klientëve familjarë, kosto ekonomike për bizneset, si dhe ndërprerje të shërbimeve të institucioneve të rëndësishme publike.

METE i kërkon kompanisë “CEZ shpërndarje”:

1. Të mos provokojë tension publik me anë të veprimeve dhe mosveprimeve të saj, duke patur mirë parasysh, nga administratori deri tek punonjësi i saj më i thjeshtë, se mosofrimi me dashje i një shërbimi publik të domosdoshëm, përbën vepër penale, për të cilën të gjithë pa përjashtim do të përgjigjen sot, nesër, apo në çdo kohë;

2. Të marrë masa urgjente për plotësimin e bazës materiale me pajisje rezervë, të domosdoshme për stinën e dimrit, e cila sapo ka filluar;

3. Të përmirësojë në mënyrë drastike menaxhimin e brendshëm të saj, për t`iu përgjigjur në kohën e duhur, me urgjencën e duhur, të gjithë problematikës së rrjetit;

METE siguron të gjithë konsumatorët, familjarë, operatorët ekonomikë dhe institucionet publike se do të ushtrojë funksionet e saj me përgjegjshmëri të lartë, më qëllimin e vetëm të furnizimit të tyre me energji elektrike pa ndërprerje!
1561

Ndërkohë kompania CEZ i është përgjigjur zyrtarisht Entit Rregullator të Energjisë se nuk mund të plotësojë kushtet, që Enti i vendosi zyrtarisht një muaj më parë si kusht për të mbajtur licencën.

Burime konfidenciale nga Enti Rregullator thanë për Top Channel se në përgjigjen zyrtare, CEZ saktëson se nuk mund të kryejë importet për shkak të gjendjes së vështirë financiare ku ndodhet, që sipas saj ka ardhur pikërisht për shkak të vendimeve penalizuese të autoriteteve shqiptare.
1562

KOMENTE