English

Ismail Keta, pritet në takim nga kryetari i bashkisë Lulzim Basha

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha priti në një takim të veçantë, kampionin e botës në tai e kik – boks, Ismail Keta. Z. Basha ka shprehur vlerësimet e tij, për arritjet e kampionit Keta, të cilat ashtu siç u shpreh ai, “bëjnë krenar çdo shqiptar”. Më datë 1 dhjetor, Ismail Keta u shpall kampion i botës, duke mundur hungarezin Jozef Diklaund.

Z. Keta u shpreh se ndihej i vlerësuar nga koha që i rezervoi Kryebashkiaku Basha për këtë takim, pasi siç u shpreh ai, “sot çdo shqiptar ndihet krenar për arritjet e Shqipërisë dhe të Tiranës”. Kampioni i botës tha se arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit, janë vlerësuar nga personalitete të larta botërore, të sportit dhe jo vetëm, të cilët kanë vizituar bashkë me të Shqipërinë. Ismail Keta solli në vëmendje, si një nga momentet më të bukura për të, telefonatën e Kryeministrit Sali Berisha, menjëherë pas shpalljes kampion bote.

Në takim, z. Keta shoqërohej nga vëllai i tij, Gjeto Keta, edhe ai një boksier i njohur në arenën botërore si dhe prefekti i Dibrës Genc Sharku. Nisur nga eksperienca shumë pozitive në Gjermani, në drejtim të akademisë së hapur prej tij, “Deutchland Kick Box”, Ismail Keta ka hapur edhe në Tiranë akademinë e tai e kik - boksit.

Kreu i Bashkisë, Lulzim Basha u shpreh i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme nga Bashkia për këtë akademi, për rritjen dhe zgjerimin e saj. Sipas Kryebashkiakut, Bashkia synon të orientojë sa më shumë të rinjtë drejt sportit, si mënyra më e mirë e të jetuarit shëndetshëm. Në këtë takim u diskutua edhe për domosdoshmërinë e krijimit të një federate efektive për këtë sport, pasi talentet në Shqipëri janë të shumtë.

Ismail Keta ka fituar titullin, kampion i Gjermanisë, nënkampion dhe kampion bote.

KOMENTE