English

Kamera sigurie në çdo shkollë të Tiranës

Pa përjashtim, në të gjitha shkollat e Tiranës do të vendosen kamera, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe garantuar sigurinë e fëmijëve në shkolla. Një projekt i detajuar i Bashkisë së Tiranës do të nis nga zbatimi në muajt e parë të vitit 2013.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha do ti propozojë Këshillit Bashkiak në mbledhjen e rradhës, akordimin e një fondi të veçantë nga buxheti i Bashkisë për këtë projekt. Zbatimi i projektit do të nis me shkollat e mesme të kryeqytetit.

Dy vjet më parë në kuadër të projektit "Për një Tiranë të sigurt europiane" ministria e brendshme përfshiu edhe monitorimin me kamera të hyrjeve të disa shkollave të kryeqytetit. Me këtë projekt Bashkia e Tiranës do të shtrijë monitorimin me kamera në të gjitha shkollat e kryeqytetit në funksion të sigurisë për nxënësit dhe fëmijët e kryeqytetit.

Një vit më parë me iniciativën e zotit Basha nisi puna për vendosjen e sinjalistikës së posaçme nëpër shkollat e ekspozuara ndaj rrezikut të trafikut të makinave. Sot në shkollat e kryeqytetit të cilat kanë akses të menjëhershëm në rrugët kryesore dhe dytësore janë vendosur kangjella mbrojtëse.

Projekti i sigurisë në shkolla edhe ai i kontrollit të trafikut në Tiranë janë kontribute reale të Bashkisë së Tiranës për rritjen e sigurisë në qytet. 23 kamera vrojtimi ditë/natë, pjesë e projektit të menaxhimit të trafikut do të instalohen nëpër pika të ndryshme të kryeqytetit të cilat do ti përcjellin në kohë reale qendrës operacionale çdo gjë që ndodh në kryeqytet, në orë dhe ditë të ndryshme.

KOMENTE